Ndërlidhjet

Veseli: Seanca do mbahet, ka dyshime për deputetë të dehur e droguar


Foto nga seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës

Foto nga seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që seanca e radhës të mbahet të hënën e ardhshme më 2 nëntor.

Vendimi është marrë pa praninë e opozitës, e cila po bojkoton punën e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka thënë se seancat duhet të mbahen pavarësisht kërcënimeve të opozitës për bllokimin e tyre.

Sipas Veselit, ka shqetësime tek deputetët për mungesën e kushteve për punë, pasi që në disa raste është rrezikuar edhe jeta e tyre.

"Deri tani në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë përdorur, vezë, gaz lotsjellës, gjësende të forta, fyerje, ujë e të njëjtën kohë ka dyshime se ka ndikime edhe të alkoolit dhe të drogës. Është një gjendje e cila vërtetë i ka shqetësuar deputetët e Republikës së Kosovës", ka theksuar Veseli.

Thirrja e seancave plenare, nga opozita po cilësohet si provokim.

Partitë opozitare i kanë vënë kusht kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, qeverisë dhe partive të koalicionit, se zhbllokimi i punës së Kuvendit ndërlidhet me tërheqjen e nënshkrimit të kryeministrit nga marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe.

Po ashtu, kërkohet edhe tërheqja e nënshkrimit nga marrëveshja me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj, i kishte dërguar mesazhe qeverisë se ose duhet të tërhiqet nga këto dy marrëveshje ose vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

"Ata që thonë se këtu s'ka krizë, se këtu është çdo gjë në rregull, besoj që fotografia që e panë të premten vonë e tregon më së miri se në çfarë gjendje ka ardhur vendi dhe në çfarë gjendje ka ardhur ky koalicion qeverisës dhe në çfarë mënyre ata duan ta drejtojnë shtetin dhe t'i mbajnë seancat parlamentare. Këta duhet ta kuptojnë që këtu ka krizë politike. Por, këta çka bëjnë?... -duan të tregojnë forcë", ka deklaruar Limaj.

Mbledhjet e fundit të Kuvendit janë përcjellë me tensione, fyerja të ndërsjella e madje edhe me gaz lotsjellës e hedhje të shisheve të ujit nga ana e opozitës me qëllim të bllokimit të punës.

Për këtë arsye, seanca e fundit, ishte mbajtur në një sallë të improvizuar pa opozitën.

Kryekuvendari Veseli, nuk ka sqaruar nëse edhe seanca e 2 nëntorit do të mbahet në rrethana të njëjta.

Mirëpo, kërcënimeve të opozitës se do të bllokojnë Kuvendin edhe në të ardhmen, Kadri Veseli u është përgjigjur me vendosmëri se do të zbatojë në tërësi rregulloren e punës për të garantuar funksionimin e Kuvendit.

Kjo rregullore i jep kompetenca kryetarit të Kuvendit që të përdorë sigurimin dhe të nxjerrë jashtë deputetët që pengojnë punën e seancës.

"As nuk ka gaz lotsjellës, shishe as bombahedhës që do të më ndalin nga kryerja e përgjegjësisë institucionale. Jam duke u munduar njerëzisht, si kolegë që të kalojmë këtë situatë për arsye se po dërgojmë pasqyrë të dobët tek miqtë tanë, partnerët tanë të cilët janë të shqetësuar. Por, përndryshe secili e merr përgjegjësinë e vet dhe puna e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë", ka thënë Veseli.

Një numër i deputetëve, përfshirë edhe ata nga radhët e partive të koalicionit qeverisës, kanë kërkuar nga kryesia dhe shefat e grupeve parlamentare që të garantohet siguria e tyre në punë, pasi që seancat e fundit janë konsideruar të rrezikshme edhe për jetën e tyre.

Sidoqoftë, mbetet të shihet se si do të rrjedhë seanca e 2 nëntorit, ndonëse pushteti dhe opozita kanë paralajmëruar se do të mbajnë pozicione të ngjashme siç kishin edhe në këto pesë seancat e fundit të përcjella me tensione të shumta.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG