Ndërlidhjet

Pasojat e ngërçit politik në raportin e BB-së


Ilustrim

Ilustrim

Ngërçi politik gjashtëmujor në Kosovë, që kishe vonuar themelimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të qershorit në vitin e kaluar, ka reflektuar në raportin e Bankës Botërore “Të bërit biznes”, ku tregohet se Kosova ka shënuar regres gati në të gjithë indikatorët e ambientit afarist.

Kështu vlerësojnë përfaqësues të shoqatave ekonomike në Kosovë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike.

Raporti “Të bërit biznes”, përfshinë 189 shtete, ku klasifikon ekonomitë në 10 fusha të rregullave të biznesit, duke filluar nga hapja e një biznesi, pagesa e taksave, mbrojtja e investitorëve, tregtisë ndërkufitare, marrja e kredisë dhe fusha të tjera.

Në këtë, raport Kosova është radhitur e 66-ta, derisa në vitin e kaluar ishte në pozitë më të mirë, në vendin e 64.

Gati në të gjitha këto fusha, Kosova është renditur më keq sesa në raportin e vitit të kaluar.

Studimi i BB-së "Të bërit biznes 2016" për Kosovën

Sektorët2016 2015
Nisja e biznesit47 40
Lejet e ndërtimit136 137
Furnizimi me rrymë124118
Regjistrimi i pronës3231
Marrja e kredisë2824
Mbrojtja e investitorëve 5754
Shpagimi i taksave6764
Tregtia përtej kufijve7170
Fuqizimi i kontratave4846
Zgjidhja e borxhit të pashpaguar 163163

Përparimin më të madh thuhet se e ka arritur me lehtësimin e pagimit të taksave dhe te dhënia e lejeve për ndërtim.

Për përfaqësues të shoqatave ekonomike të cilat mbrojnë interesat e komunitetit të biznesit në Kosovë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike, ky rangim i Kosovës në këtë pozitë ka qenë i pritshëm.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thotë se zhvillimet politike të vitit të kaluar si dhe gjendja aktuale politike në vend, nuk janë aspak në favor të zhvillimit ekonomik.

“Kolapsi i përgjithshëm politik ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në ambientin e të bërit biznes, kjo do të thotë është përkeqësuar situata, është përkeqësuar ambienti afarist. Pra, nuk kanë funksionuar institucionet të cilat është dashur të jenë treguesi kryesor për avancimin e pozitës për të bërë biznes”, ka thënë Rexhepi, për Radion Evropa e Lirë.

Ai thotë se e njëjta situatë mund të reflektojë edhe në raportet e vitit të ardhëm nëse vazhdon kjo situatë poltike e cila është aktulaisht.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se pamundësia për të bërë reforma ekonomike ka bërë që Kosova të shënojë regres në të bërit biznes.

“Pse kemi shënuar përkeqësim në rangimin në raportin e BB-së ‘Të bërit biznes’?. Natyrisht se është ngërçi institucional i vitit të kaluar. Kjo është arsyeja, pra mungesa e reformave institucionale".

"Nuk do të thotë se ka pasur përkeqësim domosdoshmërisht në praktikë ose në terren, por mungesa e reformave të mëtutjeshme. Derisa vendet tjera kanë bërë reforma ne nuk kemi arritur të bëjmë. Rangimi në këtë raport bëhet duke matur reformat e një vendi me reformat e një vendi tjetër”, sqaron Zeka.

Në një komunikatë dërguar për media nga Banka Botërore, menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë Jan-Peter Olters, citohet të ketë thënë se Kosova gjatë viteve të fundit ka hequr pengesa të rëndësishme në të bërit biznes.

“Me qëllim që këto zhvillime inkurajuese të përkthehen në përmirësime konkrete në produktivitet vendor, dhe, në fund të fundit, në krijim të vendeve të reja të punës dhe që paguhen më shumë, vendi duhet të shmang politik-bërjen taktike dhe duhet të fokusohet në sfidat e një strategjie zhvillimore socio-ekonomike afatgjate që përfshinë disa mandate politike“, citohet të këtë thënë Oltres.

Banka Botërore e ka vlerësuar rangimin e Kosovës në vendin e 66-të. Ata kanë thënë se ky është një përmirësim i madh në krahasim me vitin 2012 kur Kosova ishte në vendin e 126-të.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG