Ndërlidhjet

Maqedonia drejt izolimit ndërkombëtar


Shkup
Shkup

E ardhmja e Maqedonisë po vihet në pikëpyetje pasi vendi rrezikon të izolohet si pasojë e moszbatimit të marrëveshjes politike, vlerësojnë njohësit e çështjeve ndërkombëtare duke komentuar reagimin e përbashkët të ambasadorëve të pesë shteteve më relevante lidhur me zvarritjen e zbatimit të marrëveshjes politike.

Ata i bënë thirrje kryeministrit Nikolla Gruevski “që të autorizojë ekipin e tij për të gjetur zgjidhje për çështjet që kanë të bëjnë me marrëveshjen politike, si dhe të zbatojë reformat e nevojshme të cilat do të krijojnë terrenin për zgjedhje të besueshme, të lira dhe demokratike...si dhe të punojë në kompletimin e ekipit të prokurores speciale dhe sigurimin e kushteve për punë“.

Por, këtij reagimi kryeministri Gruevski i është përgjigjur përmes një postimi në Twitter ku kishte shkruar se “për të ardhmen e Maqedonisë vendos vetëm populli“.

Ish ambasadori i Maqedonisë në Kombet e Bashkuara, Denko Maleski thotë se Gruevski tani ndodhet në “luftë të hapur me bashkësinë ndërkombëtare“ dhe se këtë sipas tij, e dëshmon edhe fakti se deklarata e ambasadorëve u bë para qeverisë së Maqedonisë.

“Dallimet që kanë ekzistuar mes kryeministrit dhe ambasadorëve tashmë kanë kaluar në luftë të hapur diplomatike. Praqitja e ambasadorëve para qeverisë flet qartë se komunikimi mes tyre praktikisht është ndërprerë. Kjo është një situatë shumë e pavolitshme për shtetin".

"Është e paqartë për mua se si kryeministri mendon të udhëheq me shtetin në një konfrotim të tillë me Bashkimin Evropian dhe SHBA-të. Besoj se në ditët në vazhdim do të arritet ndonjë marrëveshje pasi në të kundërtën nuk po i shkruhet mirë shtetit, e as perspektivës politike të kryeministrit. Maqedonia do të ketë pasoja në procesin e integrimit dhe në rast të humbjes së rekomandimit pasojat do të shtrihen edhe në planin e brendshëm, në raportet mes dy komuniteteve më të mëdha“, thotë Maleski.

Nga ana tjetër, Alajdin Demiri, njohës i çështjeve ndërkombëtare thotë se deklarata e ambasadorëve është shansi i fundit për kryeministrin Gruevski, i cili sipas tij edhe kësaj radhe nuk do t'i marrë seriozisht rekomandimet e tyre gjë që vërehet edhe në reagimin e tij.

“Reagimi i Gruevskit paraqet një arrogancë të një pushtetari të pa qenë, i cili mbështetet dhe kërkon ndihmë të demokracisë, por në të vërtetë ai instalon jo demokracinë".

"Zbatimi i marrëveshjes politike është mundësia e fundit që Maqedonia të hyjë në proceset demokratike duke filluar nga zgjedhjet. Por, Gruevski me ndihmën e Ali Ahmetit dhe Menduh Thaçit është duke e penguar zbatimin e saj për arsyje se tenton të shpëtojë veten. Këtu qëndron problemi dhe tani ai përgjegjësinë për demokratizimin tenton t'ja kalojë popullit“, thotë Demiri duke mos e përjashtuar mundësinë e një krize të thellë me pasoja të rënda.

“Pasojat e kësaj do të jenë fatale për vendin. Për momentin qytetarët nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë izolim, por ku do të vije, atëherë do ta shohin dhe shanset që Maqedonia ka humbur“, thekson Demiri.

Mosmarrëveshjet mes partive kanë të bëjnë me kompetencat e Ministrave për punë të brendshme dhe punë e politikë sociale, që duhet t'i udhëheqë opozita në qeverinë kalimtare. VMRO-ja kërkon që të gjitha vendimet të merren me konsensus apo që zv/ministrat që do të jenë nga kjo parti të kenë të drejt vetoje në çdo vendim të ministrit.

Dallime ka për propozim-ligjin që parasheh ndalimin dhe dënimin me burg për drejtuesit e medieve nëse publikojnë pjesë nga bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve, por edhe për çështje tjera.

Pikat kryesore të marrëveshjes duhej të zbatoheshin deri më 20 tetor që të fillohet me çështjet tjera për përgatitjen e vendit për zgjedhjet e parakohshme të parapara për 24 prill të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG