Ndërlidhjet

Presidenti Fischer me fjalim në Kuvend - Vetëvendosje me pankarta


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Presidenti i Austrisë, Hainz Fischer i është drejtuar sot Kuvendit të Kosovës gjatë një seance solemne.

Aty ai ka lavdëruar përparimet e Kosovës si shtet i ri që synon integrimet evropiane dhe ka apeluar që subjektet politike përmes marrëveshjeve t'i tejkalojnë mospajtimet e tyre.

Ndërsa Fischer po i drejtohej Kuvendit, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje vendosën dy pankarta në ulëset e tyre, duke shprehur një lloj proteste ndaj bashkësisë ndërkombëtare që bashkëpunon me pushtetin aktual në Kosovë.

“Ndaloni së pranuari hegjemoninë serbe”, dhe “Ruaje shpinën President! Gënjeshtarë të korruptuar janë të ulur prapa jush", ishin mesazhet e shkruara në këto pankarta.

Kjo është hera e parë që një grup deputetësh vendosën të organizojnë një lloj proteste në Kuvend edhe kur aty ka mysafirë ndërkombëtarë, ngaqë bëhet fjalë për seanca solemne që janë organizuar edhe për burrështetas e diplomatë të tjerë ndërkombëtarë që ndihmuan Kosovën në shtetëndërtimin dhe shpalljen e pavarësisë.

Për më gjatë se një muaj, Kuvendi i Kosovës është në një bllokadë të punës nga opozita, e cila kundërshton marrëveshjen me Beogradin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

XS
SM
MD
LG