Ndërlidhjet

Blatter fajëson Platinin dhe SHBA-të


Sepp Blatter dhe Michel Platini
Sepp Blatter dhe Michel Platini

Shefi aktual i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), Sepp Blatter, thotë se hetimet gjithpërfshirëse të korrupsionit, që po zhvillohen nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara dhe Zvicra, janë pasojë e “lojës së madhe për fuqi politike”.

Në intervistën e publikuar mbrëmë nga agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS, zoti Blatter e ka sulmuar ashpër edhe shefin e Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Michel Platini.

Zoti Platini, ish-lojtar i njohur francez, pati thënë se do të synojë ta zëvendësojë Blatterin në postin e shefit të FIFA-s, por edhe vetë është i zhytur nga hetimet gjithnjë e më të gjëra.

Blatter: Platini e filloi gjithë këtë

“Fillimisht isha cak i sulmeve dhe Michel Platini e filloi gjithë këtë...kjo është personale”, është cituar se ka thënë Blatter, dhe ka shtuar se “ai gjithnjë ka pasur dëshirë të bëhet president i FIFA-s... por ai nuk kishte guxim ta paraqes kandidaturën e tij për zgjedhjet e vitit 2015”.

Sepp Blatter ka theksuar se “FIFA kishte punuar pa ndërprerje... gjatë 17 viteve sa e kam udhëhequr FIFA-n, kjo organizatë është shndërruar në kompani komerciale të madhe dhe profitabile dhe, normalisht, ka shkatuar zili dhe xhelozi”.

Këto komente sfiduese dhe luftarake u bënë në periudhën kur autoritetet e Shteteve të Bashkuara dhe të Zvicrës vazhdojnë të zhvillojnë hetime të thella për organizimin dhe praktikat e FIFA-s.

Në maj të këtij viti, zyrtarët amerikanë dhe ata zviceranë e tronditën organizatën botërore të futbollit duke i arrestuar 7 zyrtarë të FIFA-s, derisa merrnin pjesë në një takim në Zvicër.

Në akuzën e publikuar më vonë, Departamenti amerikan i drejtësisë e ka paraqitur pamjen e ryshfetit në rritje, pagesat e paligjshme dhe blerje të votave.

Vet zoti Blatter nuk është akuzuar, e as Platini, por shumë ekspertë të futbollit dhe kritikë të FIFA-s, kanë thënë se do të ishte e pamundshme për Blatterin ta udhëheq këtë organizatë për aq kohë, derisa ai nuk ka pasur njohuri për praktikat e detajizuara në akuzën e Shteteve të Bashkuara.

Hetime për një pagesë të Blatterit për Platinin

Muajin e kaluar, autoritetet e Zvicrës thanë se po zhvillojnë hetime për pagesën e vitit 2011 të zotit Blatter për Michel Palitinin, për punën e tij në periudhën 1999 – 2002, dhe për marrëveshjen për të drejtat televizive, që ai e kishte nënshkruar në vitin 2005, me personin Jack Warner, i cili është në mesin e zyrtarëve të FIFA-s të emëruar në akuzën e Shteteve të Bashkuara.

Më herët këtë muaj Blatter dhe Platini janë suspenduar nga FIFA dhe UEFA për 90 ditë nga një komitet për etikë.

“Po, Platini e filloi këtë, por pastaj u shndërrua në politikë”, tha Blatter dhe ka shtuar se “kur bëhet politikë, atëherë Platini nuk ishte kundër meje”.

Anglia dhe SHBA humbën ndaj Rusisë dhe Katarit

Blatter ka shpjeguar se atëherë në skenë kishin dalë “ata që e humbën Kupën Botërore, Anglia kundër Rusisë, ndërsa Shtetet e Bashkuara e humbën Kupën Botërore kundër Katarit”.

Rrjedhimisht, ai theksoi se “atë që e kanë bërë së bashku me Zvicrën, ata e kanë krijuar këtë sulm kundër FIFA-s dhe presidentit të saj”.

“Ju jeni nga agjencia TASS dhe ju e dini se çfarë problemesh ka ndëmjet vendit tuaj dhe Shteteve të Bashkuara”, është cituar Blatter duke i thënë reporterit, dhe ka shtuar se “Kupa Botërore e FIFA-s ose presidenti i FIFA-s është top në lojën e madhe për fuqi politike”.

Disa ditë pas arrestimeve të kryera në muajin maj, përkundër kritikave globale, Blatter u rizgjodh president i FIFA-s, ,megjithqë ai kishte premtuar të shërbej vetëm deri në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në vitin 2016.

Kjo re e zezë mbi FIFA-n, po ashtu, ka nxitur thirrje nga disa personalitete ndërkombëtare futbollistike, që të rishqyrtohet vendimi për dhënien e së drejtës që Rusia dhe Katari t’i organizojnë kampionatet botërore në vitin 2018 dhe 2022.

Marrëveshje që Rusia ta organizojë kampionatin

Kampionatet e futbollit, që mbahen çdo katër vjet, janë në mesin e ngjarjeve më të shikuara të sportit në botë, që sjellin qindra miliona dollarë për FIFA-n nga çmimet e licensimit.

Në intervistë, po ashtu, Blatter ka sugjeruar se ka ekzistuar një marrëveshje në mesin e zyrtarëve më të lartë të futbollit në vitin 2010, që Rusisë t’i jepet e drejta për të organizuar Kupën Botërore.

“Në vitin 2010 ne kishim diskutim për Kupën Botërore dhe pastaj ne morën vendim të dyfisht. U pajtuam që Kupa Botërore të shkonte në Rusi, pasi asnjëherë nuk është mbajtur në Rusi dhe Evropën Lindore, ndërsa për vitin 2022 ne do të ktheheshim në Amerikë”, është cituar Blatter.

Rrjedhimisht, “ne do ta kishim Kupën Botërore në dy fuqitë më të mëdha politike”, tha Blatter.

Platini – presion në favor të Katarit

Por, Platini i kishte bërë presion FIFA-s që kampionati i vitit 2022 t’i jepej Katarit, tha Blatter.

Ky vendim ishte kritikuar edhe para paraqitjes së skandalit për korrupsion në FIFA.

Klima e nxehtë në këtë mbretëri më Gjirin Persik i kishte shqetësuar lojtarët e frikësuar për sëmundjet e ndërlidhura me nxehtësi dhe Katari ishte akuzuar për shkelje të mëdha të punëtorëve, që ishin të angazhuar në ndërtimin e kapaciteteve për Kupën Botërore.

“Nëse SHBA-ve do t'u jepej Kupa Botërore, ne vetëm do të flisnin për kampionat të mrekullueshëm në vitin 2018 në Rusi, dhe ne ne nuk do të flisnim për asnjë problem në FIFA”, ka thënë Blatter.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG