Ndërlidhjet

Problemet dhe sfidat e shumta të një biznesi


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Janë shumë sfida e probleme që paraqiten gjatë zhvillimit të një biznesi në Kosovë, thonë pronarë të bizneseve prodhuese në vend, duke shtuar se ambienti afarist në Kosovë nuk krijon kushte të mira për biznes.

Problemet me të cilat ballafaqohen, thonë ata, janë probleme që kërkojnë zgjidhje nga institucionet kompetente dhe jo nga pronarët e bizneseve.

Burim Piraj, pronar i industrisë së mishrave “Meka”, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon për kushtet në të cilat ata zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

Hapjen e një biznesi dhe sfidat fillestare ai i konsideron të lehta, por që problemet, siç thotë ai, fillojnë në fazat tjera të zhvillimit të biznesit.

“Sa i përket vendit tonë ka shumë sfida, ne ballafaqohemi me trajtim të pabarabartë në treg në raport me prodhimet e huaja, prodhime këto që vinë nga vendet e CEFTA-s, të cilat janë të liruara nga taksa doganore, derisa nga ana tjetër ne si prodhues të gjitha importet që i bëjmë paguajm taksë doganore”, tregon Piraj.

Sfida kryesore për të zhvilluar biznesin, shton Piraj, janë politikat fiskale jo edhe shumë të favorshme për biznesin vendor, si dhe trajtimi joadekuat që i bëhet bizneseve nga ana e Doganave dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

“Ne e kemi një udhëzim administrativ në doganë që e rregullon çmimin e transportit në mënyrë të paracaktuar, e që është e padrejtë. I kanë vendosur çmimet për kilometër, që nuk i takon rregullimit ekonomik të cilin e ka vendi ynë sa i përket sistemit juridik, por në praktikë ajo zbatohet".

"Kjo sjellë probleme shumë të mëdha pasi që nuk na pranohen vlerat e paguara dhe detyrohemi të paguajm para shtesë për buxhetin e Kosovës, e kjo na shkakton edhe problemin në mbajtjen e kontabilitetit”, shton ai.

Në raportet e shumta si të organizatave në Kosovë ashtu edhe të mekanizmave ndërkombëtarë, kanë treguar për një ambient jo të favorshëm biznesor në Kosovë.

Raporti i Bankës Botërore “Të bërit biznes” për vitin 2016, e ka ranguar Kosovën në pozitën 66 nga pozita e 64 sa ka qenë vitin e kaluar.

Derisa, në hulumtime të bëra, janë identifikuar edhe disa barriera në të bërit biznes në Kosovë, siç është mungesa e përkrahjes shtetërore, konkurrenca jo e drejtë e shkaktuar nga evazioni fiskal dhe ekonomia joligjore, furnizimi jo stabil me energji elektrike, kontestet ekonomike ndërmjet bizneseve si dhe normat e larta të kredive.

Të gjitha këto barriera që bizneset kanë, tregon pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, nuk shqyrtohen me kohë nga autoritetet kompetente, gjë që e bën edhe më të vështirë, funksionimin e biznesit.

“Një prej problemeve më të mëdha është fakti që është anuluar Bordi i Ankesave dhe Parashtresave në Ministri të Financave, të gjitha kompetencat e këtij Bordi kanë kaluar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, e cila është shumë e paaftë për tu marrë me shqyrtimin e këtyre ankesave të bizneseve. Aty janë mijëra e mijëra ankesa të cilat ata nuk kanë mundësi t’i shqyrtojnë”, sqaron Piraj.

Shoqatat ekonomike të cilat mbrojnë interesat e bizneseve ne Kosovë, vazhdimisht kanë rekomanduar që të përmirësohet ambienti afarist në Kosovë, në mënyrë që Kosova të ketë zhvillim ekonomik.

Zhvillimi ekonomik i një vendi, kanë theksuar ata, varet nga zhvillimi i sektorit privat i cili njëkohësisht do të gjeneronte edhe vende të reja të punës.

XS
SM
MD
LG