Ndërlidhjet

logo-print

Kriza politike do të reflektohet negativisht ndaj zhvillimit ekonomik të vendit, vlerësojnë njohësit e çështjeve ekonomike.

Ata thonë se asnjë kompani e huaj nuk do marrë guximin të investojë në një shtet, siç është Maqedonia, ku kriza politike nga dita në ditë po merr përmasa shqetësuese ndërsa edhe në sferën e sigurisë vendi ka shënuar kthim prapa, me tensionet ndëretnike dhe aksionet policore, siç ishte ai në Kumanovë, në maj të këtij viti.

Arben Halili, njohës i çështjeve të ekonomisë dhe ish drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se veç largimit të investitorëve të jashtëm, kriza politike ka tashmë pasoja edhe ndaj kompanive vendore në realizimin e projektimeve.

“Nuk mundet të pretendohet se kriza politike nuk do të ketë pasoja ndaj zhvillimet ekonomike për vet faktin se jeta ekonomike është e lidhur në mënyrë direkte me sferën politike dhe në këtë drejtim bizneset janë ato që këtë e ndjejnë më së miri".

"Sigurisht që askush, asnjë kompani, e asnjë shtet nuk të vazhdojë bashkëpunimin me një shtet, apo një kompani që vjen nga një shtet jostabil“, thotë Arben Halili, njohës i çështjeve të ekonomisë“.

Kriza politike ka bërë që në Maqedoni investimet e jashtme të jenë në nivelin më të ulët në në dhjetë vitet e fundit. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në gjashtë muajt e parë të vitit janë regjistruar rreth 120 milionë euro investime, shifër kjo për 25 milion më e ulët se ajo e periudhës së njëjtë të vitit të kaluar, apo shumë herë më e ulët e ajo viteve paraprake.

Banka Popullore gjithashtu ka ulur parashikimet për rritjen ekonomike për këtë vit prej rreth 3 për qind, por mbetet në vlerësimin se megjithatë rritje do të ketë edhe pse jo në shifrat e parapara.

Por, njohësit e çështjeve të ekonomike nga radhët e opozitës thotë se vendi nuk do të shënoj asnjë rritje ekonomike dhe për këtë fajësojnë politikat e gabuara të qeverisë dhe krizën e rëndë në të cilën ndodhet vendi e për të cilën po ashtu fajëson ekzekutivin.

“Qeveria në vazhdimësi del me projektime optimiste për rritjen e prodhimit bruto vendor, por në fund të vitit del e kundërta. Ato, jo vetëm që nuk realizohen, por qeveria ndërmerr veprime tjera duke futur vendin në borxhe të reja të cilat shlyhet nga taksapaguesit, pra qytetarët e vendit".

"Sikur edhe të realizohen parashikimet e qeverisë, me një rritje të këtillë, Maqedonia edhe 50 vite nuk do të mund të arrijë standardet e Bashkimit Evropian. Rritja ekonomike duhet të sillet deri në 7 për qind në vit që qytetarët të mund të ndiejnë përmirësimin e standardit të tyre jetësor“, thotë Marjanço Nikollov, deputet i Lidhjes Social-Demokrate.

Por, ndryshe vlerësojnë nga qeveria të cilat për pasojat në ekonomi fajësojnë opozitën. Megjithatë, kryeministri Nikolla Gruevski thotë se pavarësisht politike shkatërruese të opozitës, siç shprehet, qeveria ka arritur të ruaj zhvillimin ekonomik dhe kursin e reformave, gjë që sipas tij, dëshmohet edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore “Të bërit biznes”, ku Maqedonia radhitet në vendin e 12-të.

“Ne si qeveri besojmë në reformat që po bëjmë në Maqedoni. Ne po aplikojmë praktikat më të avancuara në botë dhe ato po i përshtatin në kushtet tona. Radhitja aq lartë në raportin e Bankës Botërore është vetëm se edhe një dëshmi për punën e mirë që po bëjmë“, ka deklaruar kryeministri, Nikolla Gruevski.

Por, ekspertët vlerësojnë se raporti nuk pasqyron pjesën praktike, apo realitetin në Maqedoni, por vetëm se aspektet juridike, që sipas tyre qëndrojnë vetëm se në letër pasi sipas tyre bizneset përballen me probleme të shumta burokratike, por edhe me afera të shumta korruptive që si dukuri janë të pranishme në të gjitha raportet e progresit të Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG