Ndërlidhjet

Prodhuesit vendorë përfitojnë nga MSA-ja mbi 600 milionë euro


Ilustrim

Ilustrim

Pas një pune disa vjeçare, Kosova gjatë kësaj jave arriti të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Me t’u ratifikuar nga Parlamenti Evropian dhe Kuvendi i Kosovës, MSA-ja thuhet se do të thellojë lidhjet politike, ekonomike dhe tregtare në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Për këtë marrëveshje, flasin zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, ekspertë të çështjeve ekonomike, përfaqësues të shoqatave ekonomike dhe pronarë të bizneseve prodhuese në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova do t'i dëshmojë Bashkimit Evropian se është një shtet partner shumë serioz për t'i bërë të gjitha reformat e brendshme, në mënyrë që ekonomia dhe tregu i Kosovës të jenë në harmoni të plotë me tregun e lirë të standardeve evropiane.

“Jam i bindur se përfitimet e ekonomisë së Kosovës janë të shumëllojshme nga kjo marrëveshje. Por, mendoj se edhe përfitimet e Bashkimit Evropian janë evidente, sepse do të ketë në gjirin e tij një vend, i cili ka specifika zhvillimore dhe i cili mund të jetë vlerë shtuese e këtij tregu”, ka thënë Mustafa.

Ai ka bërë të ditur se Komisioni Evropian, nëpërmjet fondeve të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA), do të investojë në Kosovë deri në vitin 2020, mbi 600 milionë euro dhe këtu do të përfitojnë edhe prodhuesit për t'i rritur dhe zgjeruar kapacitetet e tyre prodhuese dhe përpunuese.

Përveç tjerash, hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, vlerësohet se është sinjali më i mirë që do t’u dërgohej investitorëve të jashtëm se Kosova është një ekonomi, e cila i plotëson kriteret bazike evropiane sa i përket funksionimit të ekonomisë së tregut.

Edhe pronarë të bizneseve prodhuese në Kosovë e vlerësojnë nënshkrimin e MSA-së, megjithatë, ata thonë se Qeveria e Kosovës është dashur të punojë më shumë në drejtim të zhvillimin e prodhimtarisë.

Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”, e cila merret me prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjike në Kosovë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se gjatë negociatave për MSA-në, autoritetet e vendit është dashur njëkohësisht të punojnë në drejtim të fuqizimit të sektorit të prodhimtarisë.

Palushi shton se sikur Kosova të kishte një sektor të fuqishëm të prodhimtarisë, efektet pozitive të kësaj marrëveshjeje do të shiheshin menjëherë.

“Qeveria jo çdo herë ka qenë e preokupuar me problemet, me të cilat është përballur prodhuesi kosovar. Qeveria nuk është marrë me krijimin e kushteve më të favorshme për prodhuesit".

"MSA-ja do t’i hap rrugë Kosovës për eksport, po ashtu edhe disa produkte që përdoren si lëndë e parë, do të lirohen nga doganat. Por, gjithashtu do të jetë një fluks edhe më i fuqishëm i importuesve, ku në disa rrethana do të vështirësohet pozita e prodhuesve vendor”, thekson Palushi.

MSA-ja nënkupton që nga momenti kur të hyjë në fuqi, atëherë një pjese të produkteve që nuk prodhohen në Kosovë, do t’iu hiqet taksa doganore dhe në 10 vjetët e ardhshëm taksa doganore për produktet e BE-së që futen në tregun e Kosovës, do të hiqet dalëngadalë.

Autoritetet kompetente, shton Shaqir Palushi, pronar i kompanisë “Frutex”, nuk do të duhet të lirojnë menjëherë nga taksa doganore disa nga produktet, të cila importohen nga BE-ja, e që të njëjtat prodhohen në Kosovë.

Në aspektin ekonomik, ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të biznesit në vend, thonë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit do të jetë një mundësi, e cila do të hapë perspektivë për ekonominë dhe biznesin vendor.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tregon për përfitimet që do t’i ketë vendi nga MSA-ja.

Përftimet nga një marrëveshje e tillë, do të jenë të shumta. Në rend të parë po hapet një perspektivë drejt integrimit ekonomik evropian. Në rend të dytë, është një mundësi për komunitetin e biznesit vendor që të jetë pjesë e këtyre proceseve”.

“Dhe, në rend të tretë, një momentum ku produktet kualitative të Evropës do të jenë më lehtë të plasuara në tregun e Kosovës dhe anasjelltas, edhe produktet vendore do të jenë më lehtë të plasuara në tregun evropian”, thotë Gërxhaliu.

Konkurrenca e produkteve në tregun e BE-së

Për shtetet, të cilat eksportojnë produktet e tyre në Bashkimin Evropian, MSA-ja ka qenë mjaft e rëndësishme, pasi që si e tillë, kjo marrëveshje u ka mundësuar kompanive vendore qasje në tregun e BE-së me kushte shumë të mira.

Po ashtu, praktikat e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore kanë treguar që secili vend që ka nënshkruar MSA, ka pasur një rritje afatgjate ekonomike, janë krijuar shumë vende pune, si dhe kapacitetet konkurruese janë shtuar.

Por, se me çfarë produktesh Kosova mund të hyjë në tregun e BE-së dhe të jetë konkurrente?

Eksperti i çështjeve ekonomike, Nam Gashi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se janë disa sektorë, në të cilët Kosova ka përparësi me rajonin dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Ne nuk do t’i konkurrojmë Bashkimit Evropian me prodhimtarinë e veturave, e as me kompjuterë, mirëpo do t’i konkurrojmë BE-së me programe kompjuterike softuer, do t’i konkurrojmë BE-së me produkte ekologjikisht të pasura bujqësore, të cilat prodhohen në Kosovë, do t’i konkurrojmë BE-së me një treg energjetik, i cili është deficitar në rajon”, vlerëson Gashi.

Kosova, shton Gashi, mund të ketë kapacitete dhe nuk duhet t’i frikësohet konkurrencës.

“Ekziston një keqkuptim, edhe në popullatë, edhe në komunitetin e biznesit, në përgjithësi, se si është e mundur që Kosova t’i konkurrojë një tregu 500 milionësh. Tregu 500 milionësh i BE-së është shumë i shpërndarë dhe krijon hapësirë për kompani të fuqishme, por edhe për prodhues të vegjël edhe për shtete të vogla, siç është rasti i Kosovës”, thekson Gashi.

Kuvendi i Kosovës pritet që më 2 nëntor të ratifikojë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Ndryshe, nënshkrimi i MSA-së është vlerësuar si një moment historik për të ardhmen evropiane të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG