Ndërlidhjet

logo-print

Nuk ka të mbijetuar nga rrëzimi i aeroplanit rus

  • RFE /RL

Zyrtarët thonë se kanë gjetur mbi 100 trupa të pasagjerëve nga rrënojat e një aeroplani rus që është rrëzuar sot në Gadishullin Sinai të Egjiptit.

Ministria e Aviacionit Civil në Egjipt ka thënë se nuk ka të mbijetuar në mesin e 224 personave që kanë qenë në bordin e aeroplanit.

Avioni i kompanisë ruse Kogalymavia ka qenë duke fluturuar nga qyteti Sharm el-Sheik i Egjiptit për në Shën Petersburg, kur është rrëzuar në rajonin midis qyteteve Arish dhe Hasna.

Vendi i aksidentit në Sinai, është përshkruar si malor dhe i izoluar.

Zyrtarët kanë thënë se avioni Airbus A320 është zhdukur nga radari rreth 23 minuta pasi është nisur.

Zyrtarët egjiptianë kanë thënë se në bord kanë qenë 217 pasagjerë, përfshirë 17 fëmijë, dhe shtatë pjesëtarë të ekuipazhit.

Mësohet se shumica dërrmuese e pasagjerëve dhe ekuipazhit kanë qenë shtetas rusë.

Kabineti i Egjiptit ka raportuar se tre shtetas të Ukrainës kanë qenë po ashtu në bord, ndërsa Ministria e Jashtme e Bjellorusisë ka shkruar në llogarinë e saj në Twitter se një pasagjer ka qenë bjellorus.

Kryeministri i Egjiptit, Sherif Ismail, ka shkuar në vendin e ngjarjes.

Në Moskë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpallur një nëntorin ditë zie për viktimat e aksidentit.

Rusia po ashtu ka dërguar në Egjipt një delegacion të madh të zyrtarëve, të udhëhequr nga ministri i Emergjencave, Vladimir Puchkov, dhe nga ministri i Transportit, Maksim Sokolov.

Putin ka ngarkuar kryeministrin Dmitry Medvedev me formimin e një komisioni qeveritar për të hetuar shkakun e aksidentit.

Medvedev ka shkruar në Facebook se “rrethanat e aksidentit do të hetohen plotësisht” dhe se secili që është prekur nga kjo tragjedi “do të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe psikologjike”.

Ai ka thënë se është “thellësisht i tronditur nga aksidenti” dhe se humbja e jetëve është “një humbje e madhe dhe e pariparueshme”.

Kryetari i qytetit rus Pskov, Ivan Tsetsersky, ka thënë se zëvendësi i tij, Aleksandr Kopylov, ka qenë në aeroplan.

“Është një katastrofë për ne, një humbje e madhe për qytetin tonë. Gjithkush ka përjetuar një tronditje të madhe. Aleksandr Mikhailovich Kopylovka qenë përgjegjës i programit kombëtar të qytetit dhe ka qenë i ngarkuar me shërbimet komunale”, ka thënë Tsetsersky.

Burimet e sigurisë në Egjipt thonë se nuk ka indikacione se aeroplani rus është qëlluar apo hedhur në erë.

Gadishulli Sinai është bazë e kryengritësve që mbështesin grupin ekstremist të Shtetit Islamik dhe që kanë vrarë qindra ushtarë dhe policë egjiptianë në muajt e fundit. Ata po ashtu kanë sulmuar disa caqe perëndimore.

Kompania Kogalymavia operon qysh në vitin 1993 dhe ka bazën në qytetin Kogalym të Rusisë.

Komiteti Hetues i Rusisë ka ngritur padi penale kundër kësaj kompanie.

Përgatiti: Valona Tela

Trego komentet

XS
SM
MD
LG