Ndërlidhjet

logo-print

Ngecje në procesin e reformave në shëndetësi


Edhe protestat e stafit mjekësor, kanë bërë që shëndetësia kosovare të jetë në gjendje jo të mirë.

Edhe protestat e stafit mjekësor, kanë bërë që shëndetësia kosovare të jetë në gjendje jo të mirë.

Reforma shëndetësore në Kosovë duket se ende nuk ka arritur nivelin e duhur. Ndonëse po punohet intensivisht në reformimin e sistemit shëndetësor, i cili përfshin disa fusha, në shumë prej tyre reforma ka ngecur.

Mungesa e barnave të listës esenciale, cilësia e dobët e shërbimeve shëndetësore, hetimet e zyrtarëve dhe protestat e stafit mjekësor, vitet e fundit, kanë bërë që shëndetësia kosovare të jetë në gjendje jo të mirë.

Megjithatë, ligjet e hartuara vitet e fundit, paraqesin një bazë të mirë për reformën e mëtutjeshme shëndetësore, thonë ekspertë që merren me shëndetësinë.

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon më shumë hollësi për reformat dhe ngecjet në sistemin shëndetësor.

"Fatkeqësisht, janë krijuar pritje të shumta më herët, që nuk kanë rezultuar me fakte dhe ne sot kemi vonesa në implementimin e Ligjit për sigurime shëndetësore".

"Gjithashtu, një impakt të madh që do të kishte në reformën shëndetësore është edhe sistemi i informimit shëndetësor elektronik, i cili është në zhvillim e sipër. Kemi përparime. Mund të themi që nuk kemi përfunduar me punën", thotë Rrahmani.

Mirëpo, ndryshe mendon Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë. Madje, ai konsideron se reformat në shëndetësi nuk janë ndër top - pesë prioritetet e ministrit Imet Rrahmani.

"Vërehet që nuk ka përmirësim të gjendjes, përkundrazi, edhe pse priten shirita e promovohen çdo ditë gjëra. Unë po e shoh që ministri aktual nuk e ka prioritet dhe shihet që edhe ato pak shërbime në spitale të caktuara, kanë degraduar", konsideron Syla.

Në anën tjetër, Rrahmani tregon për të arriturat me punë për reformimin e sistemit shëndetësor:

"Furnizimi me barna esenciale është 80 për qind. Citostatikët kanë arritur në mbi 95 për qind në përmbushjen e nevojave. Tash jemi fokusuar në blerjen e aparaturave. Një punë e madhe që është bërë, është funksionalizimi i kardiokirurgjisë, e cila deri tash ka bërë katër operacione dhe po vazhdon punën".

Ndërkaq, zyrtarë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, kanë deklaruar disa herë se buxheti është një hallkë e sistemit shëndetësor.

Por, për të funksionuar në mënyrë të mirëfilltë sistemi shëndetësor, janë të nevojshme edhe tri hallka të tjera, përpos financave, si: qeverisja e mirë, transparente, llogaridhënëse e sistemit shëndetësor, ofrimi i shërbimeve kualitative shëndetësore, si dhe krijimi i kuadrit kompetent shëndetësor, i cili është shtylla kurrizore e sistemit shëndetësor.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG