Ndërlidhjet

Ditë zie në Rusi, hetimet vazhdojnë


Në Rusi e diela është ditë zie për 224 viktimat e rrëzimit të aeroplanit, të shtunën në Gadishullin Sinai të Egjiptit.

Hetuesit po bëjnë përpjekje të përcaktojnë shkakun e tragjedisë. Një degë lokale e grupit militant të Shtetit Islamik ka thënë se ka rrëzuar aeroplanin, por pretendimet e tilla janë hedhur poshtë nga autoritetet ruse.

Burimet egjiptiane të sigurisë kanë thënë po ashtu se nuk ka indikacione se aeroplani Airbus A321 është hedhur në erë.

Avioni i kompanisë ruse Kogalymavia ka qenë duke fluturuar nga Sharm el-Sheiku për në Shën Petersburg, kur është rrëzuar në një zonë të izoluar në Sinai.

Autoritetet egjiptiane kanë thënë se nuk ka të mbijetuar. Punëtorët e shpëtimit kanë përshkruar skenën tragjike me disa viktima të lidhura ende me rripin e sigurisë dhe me telefonat celularë duke cingëruar nën rrënoja.

Zyrtarët kanë thënë se në bordin e aeroplanit kanë qenë 217 pasagjerë, përfshirë 24 fëmijë, si dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit. Gati të gjitha viktimat kanë qenë shtetas rusë.

Një zyrtar ushtarak ka thënë sot se ekipet e shpëtimit kanë gjetur 163 trupa dhe se kanë vendosur të zgjerojnë perimetrin e kërkimeve në 15 kilometra katrorë.

Ministri rus i Transportit, Maksim Sokolov, ka arritur të dielën në Kajro, me një ekip të hetuesve rusë.

Kryeministri i Egjiptit, Sherif Ismail, ka thënë se shkaqet e rrëzimit të aeroplanit nuk do të jenë të qarta derisa të kryhen hetimet, edhe pse, sipas tij, nuk duket se ka pasur ndonjë “aktivitet të pazakontë”.

Zyrtarët egjiptianë kanë thënë se “kutia e zezë” me të dhënat e fluturimit është gjetur dhe se është dërguar për ekzaminim nga ekspertët. Mbetet e paqartë se përse fluturimi 9268 është rrëzuar në mot të qetë.

Dega e Shtetit Islamik, Wilayat Sinai, ka marrë përgjegjësinë për rrëzimin e avionit përmes mediave sociale, përfshirë Twitterin dhe Telegramin.

“Luftëtarët e Shtetit Islamik kanë arritur të rrëzojnë aeroplanin rus në provincën e Sinait, i cili ka bartur mbi 220 kryqtarë rusë”, është thënë në deklaratë.

Fatkeqësia ka ndodhur vetëm një muaj pasi Rusia ka nisur sulmet ajrore në Siri kundër Shtetit Islamik dhe grupeve të tjera që kundërshtojnë regjimin e presidentit sirian, Bashar al-Assad.

Agjencitë perëndimore të lajmeve kanë cituar ekspertë të kenë thënë se militantët në zonë nuk besohet se kanë raketa të afta për të goditur një aeroplan në 30,000 këmbë lartësi.

Megjithatë, disa linja ajrore, si: Lufthansa, Emirates dhe Air France-KLM, kanë ndaluar fluturimet mbi Gadishullin Sinai derisa të përcaktohet shkaku i rrëzimit të avionit rus.

Militantët në Sinai kanë vrarë qindra ushtarë dhe policë egjiptianë në muajt e fundit dhe kanë sulmuar disa caqe perëndimore.

Rreth tre milionë turistë rusë udhëtojnë në Egjipt çdo vit, shumica e tyre në vendpushimet e Detit të Kuq.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG