Ndërlidhjet

logo-print

Raporte të reja ndërmjet SHBA-ve dhe Azisë Qendrore

  • Bruce Panier

John Kerry

John Kerry

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, e ka vazhduar të hënën turneun e tij në Azinë Qendrore, duke qëndruar në Astana të Kazakistnit, ku ka biseduar me presidentin e këtij vendi, Nursultan Nazarbaev.

Në fillim të vizitës së tij në rajon, ai ka qëndruar në Kirgizi dhe Uzbekistan.

Në qytetin Samarkand në Uzbekistan, zoti Kerry është takuar me pesë ministra të jashtëm të shteteve në Azinë Qendrore.

Në kumtesën e parbashkët, zyrtzarët e lartë të 6 vendeve kanë theksuar nevojën e rritjes së bashkëpunimit dhe mbrojtjes nga kërcënimet ndërkufitare, siç është terrorizmi.

Kjo ishte vizita e parë e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, në më tepër se dy vjet e gjysmë sa është sekretar amerikan i shtetit dhe u realizua në periudhën kur Shtetet e Bashkuara dhe Azia Qendrore po hyjnë në marrëdhënie të reja, ato pas luftës në Afganistan.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara do të mbajnë trupa në Afganistan, së paku deri në fund të vitit 2016, atyre më nuk u duhet ndihma e qeverive të vendeve të Azisë Qendrore.

Baza në Manas të Kirgizisë është mbyllur, ndërsa fat të njejtë kanë pasur edhe bazat e NATO-s afër kryeqytetit Dushanbe në Taxhikistan, ndërsa Rrjeti i shpërndarjes veriore, që dikur shfrytëzohej për transport të furnizimeve, nëpër hekurudhë dhe rrugë tokësore nga Evropa nëpër Rusi e Azi Qendrore, për në Afganistan, është mbyllur vitin e kaluar.

Megjithatë, mbretëron një përshtypje se tash shteteve të Azisë Qendrore u duhet ndihma e Shteteve të Bashkuara.

Në Azinë Qendrore, në këtë udhëkryq të Euroazisë, aktualisht, ka shumë lojtarë të jashtëm, por kryesore janë tri shtete: Rusia, Kina dhe Shtetet e Bashkuara.

Rrjedhimisht, pa Shtetet e Bashkuara, si mik dhe partner, Azia Qendrore do të mbetej me Rusinë dhe Kinën. Pra, jo një situatë e dëshirueshme, veçanërisht kur Kina dhe Rusia janë shtete fqinje.

Nëse Rusia dhe Kina, apo të dyjat së bashku, vendosin të bëjnë presion në Azinë Qendrore, atëherë shtetet e këtij rajoni nuk mund të rezistojnë shumë, pa një tjetër superfuqi, që i ndihmon ato.

Gjatë takimit me pesë ministrat e jashtëm të vendeve të Azisë Qendrore, zoti Kerry të dielën e ka theksuar bashkëpunimin ekonomik dhe atë në fushën e sigurisë.

“Të gjithë ne e dimë, natyrisht, se në këtë moment të veçant të historisë, çështjet ekonomike dhe të sigurisë, shkojnë së bashku dorë për dore. Ato e forcojnë njëra-tjetrën. Vendet që punojnë së bashku në një arenë, qartas e gjejnë se është më lehtë të punohet së bashku në arenën tjetër”, tha John Kerry, dhe ka shtuar se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Azisë Qendrore janë partnerë.

“Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Azisë Qendrore janë partnerë ekonomikë tash, ashtu siç jemi partnerë në sferën e sigurisë. Ne po ndërtojmë mbi diçka që tashmë e kemi”, tha John Kerry.

Tjetër pikë, që duhet përmendur është se pavarësisht nga ajo se si dikush në rajon mund t’i shikojë rezultatet e involvimit të Shteteve të Bashkuara në Afganistan, shtetet e këtij rajoni kanë përfituar në kuptimin e sigurisë, pasi forcat amerikan ishin në Afganistan, prej fundit të vitit 2001.

Bile faktikisht, Shtetet e Bashkuara i kanë paguar vendet e Azisë Qendrore për lejimin e forcave amerikane t’i shfrytëzojnë aeroportet në secilin vend të Azisë Qendrore dhe për tranzitin e mallrave nëpër territoret e tyre.

Pra, tash duket se është krijuar një realitet i ri në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Azisë Qendrore. Tashmë nuk ekziston nevoja për të mos kritikuar ose për evitimin e çështjeve të pakëndshme për partnerët në Azinë Qendrore.

Duhet përkujtuar raportet e publikuara nga rrjeti WikiLeaks në Internet për presidentin e Uzbekistanit, Islam Karimov, i cili në mars të vitit 2009, i kishte tërhequr vërejtjen ambasadorit amerikan, Richard Norland, se Uzbekistani mund ta suspendoj marrëveshjen për transportin tranzitor si hakmarrje ndaj Shteteve të Bashkuara, për shkak se e kishin shpërblyer aktivisten për të drejtat e njeriut në Uzbekistan, Mutabar Tajikbajeva.

Ky kushtëzim më nuk mund të funksionojë, e as lojëra të ndryshme të tjera, që liderët e vendeve të Azisë Qendrore e kanë pasur të qartë se mund t’i bëjnë, pasi Shteteve të Bashkuara u nevojitej ndihma e tyre.

Pra, tash është koha që të kthehen disa nga politikat e viteve të 90-ta, kur Shtetet e Bashkuara më tepër kishin theksuar miqësinë dhe aleancat me partnerët në Azinë Qendrore, që ndajnë ose së paku, përpiqen t’i ndajnë disa vlera dhe ideale të Shteteve të Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG