Ndërlidhjet

Sulmuesit e gazetarëve, të pandëshkuar nga drejtësia


Ilustrim
Ilustrim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe vetë gazetarët të cilët janë sulmuar në vendet e tyre të punës e që janë kërcënuar, kritikojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë për mosveprim ndaj atyre personave që kanë kryer krime ndaj gazetarëve.

Këto deklarata janë bërë me rastin e Ditës Ndërkombëtare për t'i dhënë fund mosdënimit të krimeve kundër gazetarëve.

Zekirja Shabani, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, tha se deri më tash, nga shumë kërcënime që janë bërë ndaj gazetarëve në Kosovë, nuk është dënuar asnjë person.

“Kjo tregon se gjyqësori, në një farë forme, duke mos vepruar dhe duke mos i trajtuar me prioritet raster e gazetarëve, po i inkurajon palët e tjera, të cilat janë të pakënaqura me punën që bëjnë gazetarët, që më lehë të shkojnë t’i sqarojnë hesapet me gazetarët në redaksitë e tyre, se sa t’i besojnë drejtësisë", tha Shabani.

Zoti Shabani tha se sistemi prokurorial i Kosovës, rastet e kërcënimeve dhe veprave të tjera të rënda që janë bërë ndaj gazetarëve, po i zvarritë në sirtarët e organeve të drejtësisë.

“Të gjitha rastet e gazetareve përfundojnë te prokurorët dhe merr shumë kohë, minimumi është tri vjet që duhet pritur për t'u trajtuar një rast për gazetarët”, theksoi Shabani.

Prej fillimit të këtij viti, tha Shabani, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka denoncuar 24 raste të kërcënimeve ndaj gazetarëve, ku pjesa më e madhe e kërcënimeve, tha ai, janë kërcënime me jetë.

Një vit me parë, Milot Hasimja, gazetar i televizionit Klan Kosova, është sulmuar me thikë në hapësirat e këtij televizioni në Prishtinë.

Hasimja thotë se edhe pse ka kaluar një kohë e gjatë, sistemi i drejtësisë nuk ka arritur që të bëjë një zgjidhje lidhur me rastin.

“[Në sistemin e drejtësisë] unë e shoh një lloj neglizhence. Këtu është një hallkë e madhe e njerëzve, si në prokurori, ashtu edhe në gjykatë, e cila është ajo që merr vendim".

"Javën e kaluar ka qenë hera e tretë që më është shtyrë gjykimi për arsye personale të vet gjykatëses. Dy herë tjera nuk ka pasur ndonjë arsye të caktuar. Kjo për mua është neveritëse dhe definitivisht shqetësuese, sepse imagjinoni një rast ku ka video, ka incizime dhe ka gjithçka dhe të mos përfundojë rasti brenda një viti...kjo besoj se nuk do koment”, tha Hasimja.

Vehbi Kajtazi, gazetar në të përditshmen “Koha Ditore”, tha se Kosovën Dita Ndërkombëtare për t'i dhënë fund mosdënimit të krimeve kundër gazetarëve e gjen në një gjendje të keqe.

Ai tha se kjo gjendje jo e mirë është për faktin e thjeshtë se “përgjegjësit të cilët kanë bërë vepra penale ndaj gazetareve nuk dalin para drejtësisë”.

“Ajo që shoh unë këtu është krimet tash e sa vjet kanë mbetur të pazbardhura dhe të pandëshkuara. Po edhe në ato rastet kur jepet një verdikt gjykate dënimet janë qesharake dhe që nuk flasin për ndëshkueshmëri të atyre veprimeve".

"Në rastin tim janë dy aktakuza të ngritura kundër dy personave për kërcënim, në njërin rast po bëhen 3 vjet dhe në tjetrin 1 vit; dhe gjykatat nuk kanë caktuar seancat gjyqësore. Me gjasë këto rastet do të parashkruhen dhe përgjegjësit nuk do të dalin para drejtësisë”, tha Kajtazi.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një përgjigje nga Prokuroria e Shtetit lidhur me mosshqyrtimin e rasteve ndaj gazetarëve, por nuk ka arritur që të marrë një përgjigje lidhur me këtë çështje.

Në raporte të ndryshme ndërkombëtare është thënë se në Kosovë nuk ka përmirësim të gjendjes së medieve dhe sigurisë së gazetarëve.

Organizata “Freedom House”, në raportin e fundit vjetor për lirinë e shtypit në botë, ka thënë se Kosova ka shënuar përkeqësim në lirinë e mediave, krahasuar me një vit më parë.

Kosova, aktualisht zë vendin e 100-të, krahasuar me pozitën numër 98 që ka mbajtur vitin e kaluar.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2013, ka shpallur datën 2 nëntor si "Dita Ndërkombëtare për t'i dhënë fund mosndëshkimit për krimet kundër gazetarëve".

Në raportin bazë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), thuhet se në dekadën e kaluar 700 gazetarë janë vrarë gjatë raportimit të lajmeve. Në nëntë nga dhjetë rastet, vrasësit kanë mbetur të pandëshkuar.

Në raport po ashtu thuhet se “mosndëshkimi çon në më shumë vrasje dhe shpesh është një simptomë e një sistemi të rrënuar të rendit e ligjit”.

XS
SM
MD
LG