Ndërlidhjet

logo-print

Maqedonia kërcënohet nga migrimi i të rinjve


Shkup

Shkup

Organizatat joqeveritare të cilat në fokus kanë perspektivën e të rinjve, thonë se në mungesë të të dhënave konkrete nga ana e institucioneve të vendit sa i përket numrit të të rinjve që braktisin Maqedoninë, jo vetëm se nuk mund të hartohet një strategji e mirëfilltë për ndërtimin e perspektivave për të rinjtë në vend, por Maqedonia kërcënohet nga një migrim serioz.

Drejtoresha e Forumit Arsimor Rinor në Maqedoni, Dona Kosturanova, thotë se problemi bazë është mungesa e të dhënave të sakta sa i përket numrit të të rinjve që janë larguar nga Maqedonia.

“Po ajo që nevojitet për momentin, për të parandaluar dukurinë e braktisjes së vendit nga ana e të rinjve është një analizë e mirëfilltë në nivel kombëtar, por për t'u bërë kjo analizë nevojiten numrat e saktë kush dhe sa janë larguar nga Maqedonia, sepse ne, tërë kohën flasim në bazë të spekulimeve".

"Ende askush nga institucionet kompetente të shtetit nuk ka dalë me të dhëna të sakta sa të rinj janë larguar nga Maqedonia, cili është profili i tyre sa i përket përgatitjes profesionale apo moshës, sa prej tyre janë kthyer …. nëse ka të tillë".

"Përderisa mungojnë të dhënat e këtilla është e pamundur të shpresohet në hartimin e një strategjie në nivel shtetëror ku do të analizoheshin motivet edhe njëherësh do të ofrohej zgjidhje për këtë problem”, ka theksuar Kosturanova.

Ndërkaq, Arben Hajrullahu nga Unioni Studentor Shqiptar, thekson se ka më shumë faktorë pse të rinjtë nuk e shohin perspektivën e tyre në Maqedoni.

“Politika ditore, e cila është e pranishme në Universitetet e Maqedonisë ka një impakt shumë negativ, sepse të gjithë ata të cilët nuk dëshirojnë të jenë pjesë e politikës lihen anash, përkatësisht nuk vlerësohen në bazë të suksesit që dëshmon gjatë studimeve si studentë të dalluar".

Nga ana tjetër, sociologu maqedonas Ilia Acevski, thotë se problemi i migrimit të të rinjve nga Maqedonia është i komplikuar dhe duhet analizuar në më shumë aspekte, që nga problemet ekonomike, mungesa e jetës kualitative në aspektin arsimor, kulturor dhe sportiv, por më e rëndësishmja sipas tij është mungesa e perspektivës.

“Në aspektin socio-ekonomik si rrjedhojë e më shumë rrethanave të rinjtë në Maqedoni gjithnjë e më shumë krijojnë bindje se qëndrimi në Maqedoni për ta është baras me mungesë të çfarëdo lloj perspektive. Ka më shumë arsye se pse ata krijojnë bindje të këtillë, duke filluar nga politizimi i skajshëmi i shoqërisë, devalvimi i vlerave".

Institucionet përkatëse në Maqedoni nuk kanë ofruar të dhëna konkrete se cili është numri i saktë i të rinjve që largohen nga Maqedonia brenda vitit.

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore për Zhvillim Ekonomik, vetëm gjatë vitit 2013 nga Maqedonia janë larguar rreth 20 mijë banorë.

Në këtë drejtim, hulumtimi i organizatave joqeveritare të cilat në fokus kanë të rinjtë, ka nxjerrë në pah se çdo i dyti i ri në Maqedoni dëshiron të largohet nga vendi.

XS
SM
MD
LG