Ndërlidhjet

Turqia ka parë stabilitet te një Erdogan i paparashikueshëm


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Shkruan: Abbas Djavadi

Vetëm pesë muaj më parë, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit turk, Recep Tayip Erdogan, nuk ka mundur të sigurojë vota të mjaftueshme për të formuar qeverinë e vetme, ndërsa negociatat për koalicionin nuk kanë sjellë ndonjë formulë të kënaqshme qeveritare.

Më 1 nëntor, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka dalë nga zgjedhjet parlamentare me një shumicë absolute, që i mundëson asaj të formojë e vetme qeverinë.

Gjatë 13 vjetëve të fundit, derisa ka shërbyer si kryeministër dhe pastaj president, Erdogan ka treguar shpesh se është i paparashikueshëm. E vetmja gjë që mund të llogaritet është se partia e tij ka fituar vazhdimisht zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale, por edhe kjo ka ndryshuar kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka fituar zgjedhjet e parakohshme të qershorit, por ka humbur shumicën parlamentare.

Vlerësimet në atë kohë kanë qenë jo të mira: forca politike e Erdoganit dhe partia e tij kanë qenë në rënie. Votuesit kanë treguar qartë se nuk qëndrojnë prapa planit ambicioz të Erdoganit për të ndryshuar Kushtetutën e Turqisë dhe për të zëvendësuar sistemin parlamentar të vendit me një sistem presidencial, të ngjashëm me atë në Francë apo në Shtetet e Bashkuara.

Por, edhe pse Erdogan nuk e ka fshehur kurrë dëshirën e tij për të qenë presidenti i parë turk në një sistem të tillë, ai prapë ka bërë diçka të paparashikueshme: ai është tërhequr.

Leksion i mësuar?!

Pas zhgënjimit në qershor, Erdogan ka vepruar më pak si kryesues i zyrës presidenciale që ai planifikon dhe më shumë si president tradicional i Turqisë. Ai ka bërë shumë pak fushatë për partinë e tij, për herë të parë në 14 vjet. Kjo është parë si shenjë se ai po i përshtatet një roli të reduktuar.

Analistët thonë se një gjë e tillë mund t’i ketë ndihmuar Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim që të fitojë disa nga votat e humbura në zgjedhjet e qershorit.

Në të njëjtën kohë, reputacioni i Erdoganit si personalitet i fuqishëm ka bërë punë në kohën kur votuesit turq ndjehen gjithnjë e më shumë të kërcënuar.

Përballë mundësisë së një lufte separatiste kurde në Turqi dhe rritjes së numrit të sulmeve nga grupi militant i Shtetit Islamik dhe nga luftëtarët kurdë në kufijtë jugorë të Turqisë me Irakun dhe Sirinë, Erdogani i paparashikueshëm ka nisur të duket si njeri që mund të sigurojë stabilitet.

Tani, si president që kryeson një parti të rigjallëruar, e cila mund të qeverisë e vetme, shtrohet pyetja nëse Erdogan do t’iu kthehet prioriteteve që ka ndjekur përpara se realiteti politik e ka bërë të ndryshojë kursin.

Ky është Erdogani i njëjtë, i cili, për më shumë se dy vjet, ka qenë në një kurs pajtimi me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), e cila konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Megjithatë, që nga pranvera e vitit 2015, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit ka rifilluar dhe madje intensifikuar operacionet e saj ushtarake kundër ushtrisë turke, brenda Turqisë.

Rastësisht dhe çuditërisht, në muajt e fundit ka pasur edhe sulme të përgjakshme të kryera nga grupi i Shtetit Islamik brenda Turqisë.

Turqia mbështet grupet rebele të Sirisë që luftojnë për rrëzimin e qeverisë së Bashar al-Assadit. Ato po ashtu mbështeten nga Arabia Saudite. Shumë vëzhgues kanë thënë se edhe Riadi, edhe Ankaraja mund të bashkojnë forcat për të nisur sulme të reja ushtarake kundër Assadit.

Grupi kryesor militant kurd në veri të Sirisë, Partia e Unionit Demokratik, është aleate e armikut të Turqisë – Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit. Sipas organizatës Amnesty International, Partia e Unionit Demokratik, në përpjekje për të luftuar militantët e Shtetit Islamik, ka provuar të pastrojë qytetet turke dhe arabe në veri të Sirisë.

Duke marrë parasysh armikun e saj të brendshëm, PPK-në, dhe aspiratat e tij etnike, Turqia është alarmuar me avancimet ushtarake të Partisë së Unionit Demokratik përgjatë kufirit të saj me Sirinë. Ankaraja konsideron se aktivitetet e Partisë së Unionit Demokratik janë përpjekje për të zgjeruar praninë kurde “nga veriu i Irakut në Detin Mesdhe”. Erdogan nuk e ka fshehur se plani më i mirë është të sulmohet Siria veriore, për të pastruar rajonin edhe nga militantët e Shtetit Islamik, edhe nga ata kurdë.

Pesëdhjetë përqind e votave për partinë e Erdoganit janë shenjë se, në këtë kohë të krizës, populli turk preferon një udhëheqje të fortë, të qëndrueshme dhe të sigurt.

Por, rreziqe të vërteta mbeten për qeverinë. Ekonomia është lëkundur. Eksportet turke kanë rënë për 1.5 miliard dollarë qysh nga zgjedhjet e qershorit dhe vlera e monedhës turke ka rrëshqitur kundrejt dollarit amerikan. Kjo do të thotë pasiguri dhe më pak të ardhura.

Janë më shumë se dy milionë refugjatë sirianë në Turqi, të cilët i kanë kushtuar vendit më shumë se 6 miliardë dollarë që nga fillimi i krizës në Siri.

Qeveria dhe kundërshtarët kurdë nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë marrëveshje dhe konfliktet nga fqinjët arabo-kurdë në jug kërcënojnë të depërtojnë tutje në Turqi.

Dhe, pavarësisht se u është dhënë një votë e fuqishme, Erdogan dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim duhet të tregojnë kujdes që të mos cilësohen si autoritarë.

Para zgjedhjeve, kundërshtarët social-demokratë dhe kurdë të Erdoganit i kanë cilësuar votimet e 1 nëntorit si “zgjedhjet e fundit përpara diktaturës”.

Më shumë se gjysma e votuesve turq preferojnë stabilitetin, por, siç kanë treguar në qershor, ata kanë limitet e tyre. (v.tela)

(Abbas Djavadi është drejtor rajonal në Radion Evropa e Lirë. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të autorit).

XS
SM
MD
LG