Ndërlidhjet

logo-print

Disa teori për rrëzimin e avionit rus


Mbetje të avionit të rrëzuar

Mbetje të avionit të rrëzuar

Ndërkohë që hetuesit janë në garë me kohën për të saktësuar shkaqet e rrëzimit të avionit rus në Gadishullin Sinai të Egjiptit më 31 tetor, spekulimet mbi shkakun janë gjithnjë e në rritje.

Fluturimi 9268 i linjës ajrore Kogalymavia/Metrojet besohet të jetë shpërbërë në ajër, pak minuta pasi avioni ishte nisur nga qyteti turistik Sharm el-Sheikh, në drejtim të Shën Petersburgut të Rusisë, duke vrarë kështu të 224 personat në bord.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se është”ende herët” për të hedhur poshtë cilëndo mundësi, përfshirë këtu edhe sulmin terrorist.

Në vazhdim mund të lexoni disa skenarë, të cilët po përmenden kryesisht nga mediat ruse, por edhe media të tjera.

Raketahedhës

Një grup egjiptian i ndërlidhur me grupin militant Shteti Islamik ka marrë përgjegjësinë për këtë tragjedi, duke thënë se e ka rrëzuar avionin me raketahedhës, por nuk ka dhënë më shumë informacione.

Ministri rus i Transportit, Maksim Sokolov, ka hedhur poshtë pohimet e këtij grupi, duke thënë se ato nuk mund të cilësohen si të vërteta.

Megjithatë, vetëm një ditë më vonë, më 1 nëntor, një numër linjash ajrore të Evropës dhe Lindjes së Mesme, njoftuan se kanë ndryshuar rrugët e fluturimit, për të shmangur hapësirën ajrore mbi gadishullin Sinai.

Rusia shihet si një cak potencial i sulmeve nga Shteti Islamik, që kur nisi fushatën ajrore ruse në Siri më 30 shtator, kundër grupeve të armatosura të cilat luftojnë presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Autoritetet egjiptase ndërkohë janë duke luftuar që nga nëntori i vitit 2014 me militantë islamistë në Sinai, të ndërlidhur me Shtetin Islamik.

Por, grupi militant Wilayat Sinai thuhet të mos ketë në dispozicion armatim për të rrëzuar një avion në 10,000 metra lartësi.

'Lockerbie'

Aleksandr Smirnov, zëvendës drejtor i operacioneve ajrore në Kogalymavia, u ka thënë gazetarëve më 2 nëntor se “shpjegimi i vetëm për shpërbërjen e një avioni në ajër mund të jetë një goditje e fortë - qoftë mekanike apo fizike”.

Smirnov nuk ka pranuar të japë më shumë shpjegime, duke thënë se detajet janë përgjegjësi e hetuesve.

Deri më tash nuk ka të dhëna publike që do të mund të dëshmonin se shpërbërja është shkaktuar nga ndonjë bombë apo mjet tjetër shpërthyes në bord.

E përditshmja ruse Kommersant madje ka tërhequr paralele ndërmjet këtij fluturimi dhe atij të linjës ajrore Pan Am, i cili qe shembur nga një bombë në bord, mbi Lockerbie, Scotland, në vitin 1998.

Ekspertët perëndimorë kanë thënë se ndonëse teoria e një bombe në bord është e mundshme, ajo gjithashtu është lehtë e verifikueshme.

Gabim njerëzor

Kogalymavia ka hedhur poshtë teorinë e ndonjë gabimi nga ana e pilotit, Valery Nemov, duke thënë se ai kishte përvojë me më shumë se 12,000 orë fluturimesh.

Zyrtarë të linjës ajrore gjithashtu kanë thënë se ekipi i avionit nuk ka bërë përpjekje për të kontaktuar kontrollin e trafikut ajror në momentet e fundit.

"Arsyeja pse avioni ndaloi së fluturuari dhe filloi të bie ka të bëjë me gjasë me faktin se deri në atë periudhë, avioni ka pësuar dëmtime të rënda strukturore, të cilat mund të kenë pamundësuar fluturimin e mëtejmë”, ka thënë Smirnov.

Dëmtim i avionit

Ka pasur edhe spekulime në fillim se avioni kishte pësuar dëme strukturore, që para se të nisej. Ka disa shembuj të mëhershëm që mund ta ilustrojnë një teori të këtillë. Bëhet fjalë për një dëmtim që ndryshe njihet si “bisht i dëmtuar”.

Në vitin 2001, bishti i të njejtit avion ka goditur pistën në Kajro. Një dëmtim i këtillë kërkon muaj të tërë riparimesh. E përditshmja Kommersant ka raportuar se riparimi mund të mos ketë qenë bërë mirë dhe shpërbërja mund të jetë nxitur pikërisht nga ky dëmtim.

Në vitin 1985, një avion i linjës ajrore japoneze, është rrëzuar pas një shpërthimi në bord, që besohet të jetë shkaktuar nga riparimet jo adekuate në bishtin e avionit, shtatë vite më herët.

Megjithatë, ekspertët perëndimorë, por edhe ata rusë, kanë thënë se një skenar i tillë ka pak gjasa të jetë real, duke thënë se avionë të shumtë kanë bishtat e dëmtuar, dhe janë duke fluturuar pa asnjë problem edhe sot e kësaj dite.

Avioni i rrëzuar kishte 18 vjet që fluturonte dhe për linjën ajrore Kogalymavia, kjo do të thotë se kishte ende shumë vite përpara. [a.v.]

Trego komentet

XS
SM
MD
LG