Ndërlidhjet

I dërguari amerikan për të drejtat e komunitetit LGBTI, në Kosovë


Pamje nga takimi...
Pamje nga takimi...

Në Kosovë, sot po qëndron i dërguari i parë i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat njerëzore të komunitetit LGBTI, Randy W. Berry.

Zoti Berry do të zhvillojë një sërë takimesh të martën në Prishtinë, me udhëheqës të institucioneve qendrore në Kosovë.

Në takimin me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, i dërguari amerikan citohet në një komunikatë të lëshuar nga zyra e kryeministrit, të ketë vlerësuar “progresin në Kosovë dhe përkushtimin e institucioneve të Kosovës për respektimin e plotë të të drejtave të secilit individ në Kosovë”.

“Berry, po ashtu, çmoi punën e Qeverisë së Kosovës në adresimin e çdo forme diskriminimi ndaj çdo grupi shoqëror, duke ofruar përkrahjen e plotë të Qeverisë Amerikane për të ndërtuar kapacitetet e nevojshme që çdo komunitet në shoqërinë kosovare, të realizojë lirshëm të drejtat e tij”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Zoti Mustafa ndërkaq citohet të ketë thënë se “Republika e Kosovës ka nxjerrë një varg ligjesh që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zbatimin e të drejtave të njeriut, si Ligji kundër diskriminimit, që rregullon dhe parandalon çfarëdo forme të diskriminimit, nga çfarëdo lloj baze apo përkatësie”.

XS
SM
MD
LG