Ndërlidhjet

SHBA: Kundërshtimi i propagandës ruse - përpjekje aftagjatë

  • RFE /RL

Zyrtari i Departamentit amerikan të shtetit, Benjamin Ziff, thotë se përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për ta kundërshtuar keqinformimin dhe propagandën e prodhuar nga Rusia, do të jetë përpjekje afatgjatë, që përfshinë forcimin e mediave të pavarura në Evropën Lindore dhe Euroazi.

Zoti Ziff, i angazhuar në çështjet evropiane dhe të euroazisë, i tha Nënkomitetit të marrëdhënieve të jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara, se administrata e presidentit amerikan, Barack Obama, ka propozuar 83 milionë dollarë, që është rritje prej 26% për vitin e ardhshëm fiskal, të fondit për grupet e shoqërisë civile dhe mediave të pavarura “në vendet më të ndjeshme të presionit rus”.

“Rrjedhja e informacionit të lirë dhe të besueshëm është mbrojtja jonë më e mirë”, tha Benjamin Ziff, gjatë dëshmisë së tij më 3 nëntor.

Ai ka theksuar se “ne e shohim këtë punë kundër propagandës së Kremlinit si të parëndësishme në përpjekje afatshkurtër; kjo është përpjekje në afat të mesëm dhe të gjatë, për të qenë të sigurt se atje nuk ka terren të plleshëm në Evropë dhe Euroazi, për llojin e përpjekjeve që ata i bëjnë”.

Lidhur me zhvillimet në Ukrainë, zyrtari i Departamentit amerikan të shtetit, Benjamin Ziff, tha se administrata e Shteteve të Bashkuara nuk e ka përjashtuar furnizimin e ushtrisë së Ukrainës me armatim vdekjeprurës dhe pajisje ushtarake.

Ai, po ashtu, ka theksuar se qeveria e Shteteve të Bashkuara po e shqyrton mundësinë e zgjatjes së sanksioneve ekonomike kundër Rusisë, nëse parimet e Marrëveshjes për armëpushim të arritur në Minsk të Bjellorusisë, nuk implementohen plotësisht në pjesën lindore të Ukrainës.

Kjo marrëveshje, e nënshkruar nga zyrtarët e Ukrainës dhe ata separatistë, kërkon tërheqje të armatimit të rëndë, qasje më të madhe për ndihmë humanitare, e të tjera.

Intensiteti i luftimeve në pjesën lindore të Ukrainës, në masë të madhe, ka rënë, megjithqë zoti Ziff ka theksuar se prej 1 shtatorit të këtij viti, për shkak të dhunës sporadike në disa pjesë në rajonet lindore të Ukrainës, janë vrarë 17 vetë dhe plagosur 50 të tjerë.

Ai nuk ka specifikuar nëse viktimat ishin ushtarë të rregulltë, pjesëtarë të milice vullnetare ose sepratistë të mbështetur nga Rusia.

Prej prillit të vitit 2014, kur ka filluar lufta në pjesën lindore të Ukrainës, ndërmjet forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, janë vrarë më se 7,900 vetë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG