Ndërlidhjet

Në muajin tetor në Klinikën Kardiologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë kryer 152 koronarografi dhe 54 stentime.

Kështu thotë drejtori i kësaj klinike, Gani Bajraktari duke dhënë edhe hollësi të tjera rreth furnizimit me stenta.

"Kemi shënuar një rritje të madhe, pra është trefishuar volumi i punës dhe vetëm në muajin tetor kemi bërë 152 koronarografi dhe 54 stentime që për kushtet ku punojmë është një shifër e konsiderueshme dhe e mirë e që besojmë që do ta ngrisim edhe më shumë në të ardhmen".

"Furnizimi është i kënaqshëm për këtë vit dhe stafi punon me angazhim maksimal edhe pse në kushte jo shumë të mira", tha Bajraktari.

Ndryshe në Klinikën e Kardiologjisë për një kohë të gjatë nuk janë kryer shërbimet e koronarografisë si dhe vënia e stentave në zemër. Kjo për shkak se, sipas zyrtarëve shëndetësorë, nuk ka punuar aparatura e duhur.

Gjithashtu në këtë klinikë, jo rrallëherë, janë bërë kërkesa për furnizim me gjëra të nevojshme nga profesionistët shëndetësorë, të cilëve më pas u ka skaduar afati i përdorimit.

Një kërkesë e tillë është bërë nga Klinika Kardiologjike Invazive për stenta, vite më parë në vlerëprej 800 mijë eurosh.

Zoti Bajraktari thotë se kohët e listat e pritjes janë reduktuar, si rezultat i rritjes së volumit të punës dhe siç thotë ai, buxheti i shtetit po kursehet, pasi që këta pacientë këto shërbime i kanë marrë jashtë institutcioneve publike shëndetësore.

"Vitet e kaluara janë dërguar shumë pacientë jashtë vendit dhe kjo dukuri ka rënë ndjeshëm prej funksionalizimit të kardiologjisë invasive, duke bërë që t'i kursejmë miliona euro buxhetit të shtetit".

"Ndërkaq tash ata që janë të pasiguruar paguajnë participimet në klinikën tonë prej 150 eurosh për koronarografi dhe 350 euro stentimet, pavarësisht nga numri i stentave që vendosen. Është një shumë simbolike e shpenzimeve, karshi atyre që bën shteti për këtë".

Në institucionet shëndetësore private, çmimi për një stentë është 3500 euro, kurse operacioni i hapur në zemër kushton 7 mijë euro.

Imet Rrahmani, ministër i Shëndetësisë ka bërë të ditur se Klinika e Kardiologjisë do të përkrahet në vazhdimësi, marrë parasysh koston e sëmundjes dhe shpenzimet jashtë institutcioneve publike shëndetësore.

"Kardiologjia është në intensitetin e punës. Do të përkerahet kjo klinikë edhë me forma tjera stimulative. Mendoj që është duke u bërë një punë e mirë. Për vitin tjetër kemi ndarë një vijë të veçantë buxhetore, me vlerë prej 300 mijë eurosh për këtë klinikë dhe atë të kardiokirurgjisë".

"Jemi duke shqyrtuar mundësinë e blerjes së një aparati në mënyrë që aty të punohet 24 orë, por jemi duke e shqyrtuar edhe mundësinë e rritjes së stafit", tha Rrahmani.

Sidoqoftë zyrtarë shëndetësorë thonë se janë duke bërë përpjekje që të punohet 24 orë në shërbimin e trajtimit të infarktit akut, edhe pse siç thonë ata kjo kërkon një angazhim shumë më të madh në të gjitha sferat dhe është mjaft sfiduese jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet me të zhvilluara.

Gjatë muajit tetor të këtij viti edhe kardiokirurgjia është funksionalizuar, dhe deri tash janë kryer mbi 5 operacione të hapura të zemrës.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG