Ndërlidhjet

Numri i azilkërkuesve rusë në SHBA arrin majat


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Numri i aplikacioneve të reja të rusëve për azil në Shtetet e Bashkuara ka arritur nivelin më të lartë në më shumë se dy dekada. Avokatët e migracionit e lidhin këtë me kontrollin e fortë të politikave nga Kremlini, me korrupsionin e përhapur dhe me diskriminimin dhe dhunën ndaj pakicave seksuale.

Shtetasit rusë kanë paraqitur 1,454 kërkesa për azil në SHBA në vitin fiskal 2015, i cili ka përfunduar më 30 shtator. Kjo do të thotë 50 përqind më shumë se vitin e kaluar dhe më shumë se dyfishi i aplikacioneve të paraqitura në vitin 2012, kur presidenti Vladimir Putin është kthyer në Kremlin, pas një mandati katërvjeçar si kryeministër.

Shifrat janë bërë të ditura për Radion Evropa e Lirë nga Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare.

Një kërkesë për azil mund të përfshijë më shumë se një individ, si për shembull bashkëshortin apo bashkëshorten dhe fëmijët e aplikuesit.

Të dhënat nuk specifikojnë motivet e aplikuesve për azil, por, sipas avokatëve të migracionit, rritja e numrit të tyre ka të bëjë pjesërisht me largimin masiv të lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transseksualëve, prejse Putin ka nënshkruar ligjin kontrovers më 2013, i cili ndalon përhapjen në mesin e të miturve të “propagandës së marrëdhënieve jotradicionale seksuale”.

Qeveritë perëndimore e kanë cilësuar këtë ligj si diskriminues, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se ai i ka ndihmuar atmosferës së mosndëshkimit për ata që kryejnë akte të dhunës kundër homoseksualëve. Putin këmbëngul se ligji nuk shkel të drejtat e homoseksualëve dhe se qëllim i tij është thjesht mbrojtja e fëmijëve.

Avokatët që punojnë me azilkërkuesit rusë thonë se rritja e kërkesave për azil mund të lidhet po ashtu me rritjen e numrit të rusëve që thonë se janë viktima të persekutimit politik, të kërcënimeve ose keqtrajtimeve nga zyrtarët e korruptuar.

Avokatja e migracionit në Nju Jork, Alena Shautsova, thotë për Radion Evropa e Lirë se, këtë vit, ka paraqitur një varg kërkesash për azil nga rusët për shkak të kundërshtimeve të tyre ndaj politikave dhe veprimeve të Putinit.

Shautsova thotë se, së voni, ka nisur të punojë me një klient, i cili thotë se është keqtrajtuar vazhdimisht nga policia, pasi ka ndjekur një tubim për Boris Nemtsovin, politikanin opozitar rus, i cili është qëlluar për vdekje në afërsi të Kremlinit, në muajin shkurt.

Ismail Shahtakhtinski, avokat në Virxhinia, thotë se gjatë vitit të kaluar është kontaktuar nga një numër në rritje i rusëve që pretendojnë se kanë qenë nën presion nga autoritetet që të paguajnë ryshfet ose të bëjnë dëshmi të rrejshme.

“Shumë herë, qeveria përpiqet të ndërtojë një rast kundër dikujt dhe, për ta bërë këtë, ajo përpiqet të mbledhë dëshmitarë, dëshmitarë të rremë. Këto janë raste, ku shoh rritje të konsiderueshme”, thotë Shahtakhtinski.

Qytetarët rusë kanë paraqitur mbi 17,000 kërkesa për azil në Shtetet e Bashkuara qysh në vitin 1994. Sipas të dhënave të Departamentit për Siguri Kombëtare, mbi 6,000 prej tyre janë miratuar.

Numri i aplikacioneve këtë vit ka qenë më i madhi brenda një viti të vetëm qysh më 1994, kur Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka marrë 2,127 kërkesa për azil nga shtetasit rusë. Aplikacionet e shumta në atë kohë kanë pasuar rënien e Bashkimit Sovjetik. (v.tela)

XS
SM
MD
LG