Ndërlidhjet

Komisioneri Johannes Hahn nesër mban fjalim në Kuvend


Foto arkivi.
Foto arkivi.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, viziton nesër Kosovën, njofton zyra e BE-së, në Prishtinë.

“Komisioneri Hahn do të takohet me Presidenten Atifete Jahjaga, Kryeministrin Isa Mustafa, Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe zyrtarët e tjerë përkatës për të diskutuar implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe BE-së,” thuhet në njoftim.

Komisioneri Johannes Hahn, pritet t’u drejtohet nesër deputetëve të Kosovës.

Kjo do të jetë seanca e tretë me radhë, të cilën partitë opozitare, Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë thënë se nuk do ta pengojnë.

Opozita kishte lejuar që të mbahej seanca solemne me rastin e vizitës së presidentit të Austrisë në Kosovë, si dhe seancën për ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Ndërkohë tri parti në opozitë, kanë ritheksuar se do të vazhdojnë të bllokojnë punën e Kuvendit të Kosovës, përderisa, siç po pretendojnë ato, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të mos i tërheqë nënshkrimet nga Marrëveshja me Serbinë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe ajo me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

XS
SM
MD
LG