Ndërlidhjet

Maqedonia deri në fund të këtij viti do të marrë borxh të ri prej 500 milion eurosh, i cili do të duhet të kthehet brenda dhjetë viteve të arrdhshme.

Në vendimin e Ministrisë së Financave të qeverisë maqedonase, theksohet se euro-obligacioni prej gjysmë miliardi eurosh do të përdoret për mbështetjen e buxhetit të vitit 2015 dhe atë të vitit 2016, si dhe për ri-financimin e obligimeve për pagesën e borxhit shtetëror.

Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni konsiderojnë se marrja e borxhit në vlerë pre gjysmë miliardi euro, në formë të euro-obligacioneve, do të ngufasë edhe më shumë ekonominë e vendit, me rritjen e borxhit publik.

Alaudin Zeqiri, ekspert i ekonomisë thotë se marrja e borxhit në fjalë nuk ka të bëjë me politikat zhvilimore, por me mbulimin e deficitit buxhetor, dhe kjo sipas tij do të ketë ndikim negativ në xhepin e çdo qytetari të Maqedonisë.

“Qeveria e Maqedonisë është duke marrë hua për të mbuluar deficitin buxhetor dhe jo për të realizuar politikat zhvillimore. Huazimi në formën e euro-obligacioneve për të mbuluar deficitin buxhetor paraqet një mekanizëm tepër negativ, që nuk gjen vend në praktikat e vendeve të BE; madje kjo formë e huazimeve nuk preferohet as për vendet të cilat aspirojnë integrimin në familjen evropiane", thotë Zeqiri, ligjërues në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Nga ana tjetër, ish guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev, thotë se mungesa e mjeteve të gatshme përmes investimeve të huaja bën që qeveria të detyrohet të marrë hua përmes euro-obligacioneve.

“Kriza politike, mungesa e një sistemi stabil politik, mungesa e demokracisë funksionale, tregu jo stabil, pra të gjitha këto ndikojnë që në Maqedoni të mos vijnë investitorë të huaj, dhe në mungesë të investimeve të huaja, përkatësisht mungesën e parave të gatshme ky pushtet në vazhdimësi e ka mbuluar përmes marrjes së kredive”, thotë zoti Goshev.

Kundër marrjes së huasë përmes euro-obligacioneve është shprehur edhe partia maqedonase në opozitë, Lidhja Social Demokrate, sipas së cilës Maqedonia ka kohë që e ka kaluar kufirin e borxhit, duke ua lënë gjeneratave të rreja shumë borxhe për t’i shlyer.

Sofia Kunovska, në foltoren e parlamentit të Maqedonisë ka theksuar se kryeministri Nikolla Gruevski, para largimit nga pushteti, tenton t’i fusë qytetarët në borxh edhe më të thellë.

“Duhet pranuar para qytetarëve se ky shtet, si pasojë e politikave të gabuara ekonomike, jeton në hua. Por, një gjë duhet të bëhet e qartë se kush mban përgjegjësinë për këto politika të gabuara, duke shpenzuar vetëm për projekte jokapitale. Pyetja është kush do t`i kthejë këto mjete, më saktësisht në çfarë mënyre do t`i kthejë këto mjete”, ka deklaruar zonja Kunovska.

Kritikave të opozitës se Maqedonia rritë borxhin duke investuar në projekte jokapitale, autoritetet e qeverisë u janë përgjigjur se Maqedonia, krahasuar me vendet e rajonit radhitet në fund të listës për sa i përket borxhit publik.

Ndryshe, pa e llogaritur marrjen e huasë që planifikon ta marrë shteti maqedonas, borxhi publik i Maqedonisë është 3 miliardë e 941 milionë euro ose 43.9% nga Prodhimi Bruto Vendor.

XS
SM
MD
LG