Ndërlidhjet

Buxheti i ulët për arsim nuk garanton cilësi të duhur


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Buxheti i ndarë për sektorin e arsimit në Kosovë për vitin 2016, nga ekspertë të fushës së arsimit dhe përfaqësues të sindikatës, po konsiderohet të jetë i pamjaftueshëm për të arritur reforma të cilat do të ndikonin në rritjen e cilësisë në arsim.

Nga 1.6 miliardë euro të buxhetit të Kosovës për vitin 2016, për sektorin e arsimit janë ndarë 17 për qind e këtij buxheti apo mbi 270 milionë euro.

Eksperti i arsimit, njëherë ish zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Fevzi Berisha në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se për të bërë reforma më rrënjësorë në fushën e arsimit, duhen më shumë mjetë financiare.

“Sigurisht që nuk është buxhet i mjaftueshëm pasi që ne si vend në tranzicion sidomos në arsim që permanent bëjmë reforma në të gjitha nivelet, prej nivelit të arsimit fillor deri tek universitetet na duhet që këto reforma të përcillen më një buxhet më të lartë”, shton Berisha.

Megjithatë, ai thekson se pavarësisht buxhetit të vogël për arsim, Kosova duhet të ngrit cilësinë në arsim pasi që është në nivelin e duhur. Cilësia në arsim, sipas tij, arrihet nëse bëhet orientimi i mjeteve në fushat e duhura arsimore.

“Ne kemi probleme sidomos me infrastrukturë ndihmëse, siç janë laboratorët, puna praktike e nxënësve nëpër shkolla profesionale e deri në universitete ku shumë pak i kushtohet kujdes punës praktike. Zakonisht në përgatitjen e arsimtarëve duhet të kemi kujdes që ata të jenë të përgatitur për reformat që do të zhvillohen më vonë. Pra, duhet një orientim më i mirë i këtyre mjeteve përkundër asaj që janë të vogla”, shton Berisha.

Në anën tjetër, Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, vlerëson se qeveria ka shtuar angazhimin për sektorin e arsimit, por, që mjetet e ndara janë të pamjaftueshme për të arritur rezultatet e pretenduara.

“Uroj që këto mjete të mos shkojnë në ndërtimin e e shkollave, pasi që ka raste kur shkollat janë ndërtuar dhe kanë mbetur gjysmë të zbrazëta. Këto mjete do të duhej të dedikohen për përmirësimin e kushteve në punë, që shkollat tonë t’i ngjajnë shkollave të shekullit 21".

"Uroj që të kemi shumë më shumë mjete pune bashkëkohoredhe të krijohen kushte optimale që të kemi një arsim më cilësor një arsim që do të konkurrojë me shtetet e rajonit dhe të Evropës”, shprehet Jasharaj.

Qeveria e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, Jasharaj, në vitet tjera duhet të ndajë më shumë mjete nga buxheti për arsimin, pasi që më mjete të kufizuara, siç shprehet ai, nuk mund të priten reforma dhe cilësi e duhur.

Ndryshe, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë, cilësinë në arsim e ka shpallur si prioritet.

Por, që në hulumtimet e bëra për çështjen e arsimit në Kosovë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, ishte vlerësuar se cilësia e arsimit në Kosovë nuk ishte në nivelin e duhur.

Këta mekanizma kishin kërkuar vazhdimisht nga autoritetet kompetente që të bëjnë një studim mbi gjendjen e arsimit në vend dhe të dihet se ku qëndron mirë ky sektor dhe ku qëndron keq, dhe pastaj të bëhen ndryshimet.

Për të përmirësuar cilësinë në arsimin fillor dhe të mesëm, rolin kryesor ishte theksuar se e kanë mësimdhënësit.

XS
SM
MD
LG