Ndërlidhjet

Obama: Mund të ketë pasur bombë në avionin rus


Barack Obama, foto arkivi
Barack Obama, foto arkivi

Shtëpia e Bardhë ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e “përfshirjes terroriste” në rrëzimin e aeroplanit rus, të shtunën e kaluar, në Egjipt.

Kryeministri britanik, David Cameron, ka thënë po ashtu se ka gjasa të mëdha që tragjedia është shkaktuar nga një “bombë terroriste”.

Rusia ka reaguar me zemërim ndaj këtyre deklaratave, duke thënë se ato janë vetëm spekulime.

Avioni rus është rrëzuar në Gadishullin Sinai, duke shkaktuar vdekjen e të 224 njerëzve në bord.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se mundësia e sulmit terrorist duhet të merret “shumë seriozisht”.

“Mendoj se ka mundësi që të ketë pasur bombë në bord dhe ne po e marrim këtë shumë seriozisht”, ka thënë Obama për radion Kiro, degë e CBS-it.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, u ka thënë gazetarëve se SHBA-ja nuk e ka përcaktuar shkakun, porse nuk e përjashton rolin potencial të terrorizmit në tragjedi.

“Bazuar në atë që dimë dhe bazuar pjesërisht në atë që është raportuar publikisht, nuk mund të përjashtojmë asgjë, as mundësinë e përfshirjes terroriste”, ka thënë Earnest, duke mos dhënë shumë informacione për punën e inteligjencës amerikane.

“Aktualisht, administrata Obama po shqyrton një numër hapash të ndryshëm për të rritur sigurinë në fluturime komerciale, të nisura për në Shtetet e Bashkuara nga aeroporte të caktuara të huaja”, ka thënë Earnest.

Avioni rus Airbus A321 ka qenë duke udhëtuar nga Sharm el-Sheiku për në Shën Petersburg kur është coptuar në ajër, mbi Gadishullin Sinai.

Më 4 nëntor, një degë e Shtetit Islamik në Sinai ka përsëritur se ajo ka kryer sulmin.

Ekspertët e sigurisë dhe hetuesit kanë thënë se aeroplani ka pak gjasa të jetë qëlluar nga jashtë, pasi, sipas tyre, militantët në Sinai nuk besohet se kanë teknologji që mund të qëllojë një avion, i cili fluturon në një lartësi prej 30,000 këmbësh. Fokusi pastaj është kthyer në mundësinë e një shpërthimi në bord.

Televizioni CNN ka cituar burime të paidentifikuara të kenë thënë se inteligjenca tregon se grupi i Shtetit Islamik ose degët e tij kanë vënë bombën në avion.

Michael McCaul, kryetar i Komitetit për Siguri Kombëtare, pranë Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, ka thënë në një intervistë për FoxNews se të gjithë indikatorët tregojnë se aeroplani është rrëzuar nga një sulm me bombë, i kryer nga militantët e Shtetit Islamik.

Nëse teoria e sulmit terrorist del e vërtetë, i tillë do të dalë edhe paralajmërimi i të ashtuquajturit Shtet Islamik për hakmarrje të shpejtë dhe vdekjeprurëse për Rusinë, e cila po kryen sulme ajrore në Siri.

Qysh të mërkurën, disa vende, përfshirë Francën, Gjermaninë, Belgjikën dhe Britaninë, kanë kufizuar udhëtimet për në Sharm el-Sheik. (v.tela)

XS
SM
MD
LG