Ndërlidhjet

Hahn premton liberalizimin e vizave, por jo edhe afatin kohor


Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Johannes Hahn dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerim, Johannes Hahn dhe kryeministri i Kosovës Isa Mustafa

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Politikë të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn është shprehur optimist se deri në fund të këtij viti, Komisioni Evropian do të japë rekomandimin pozitiv për Kosovën në lidhje me liberalizimin e vizave.

Por, ai nuk ka mundur ta parashikojë edhe afatin se kur shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza drejt vendeve të Bashkimit Evropian, duke thënë se marrja e vendimit përfundimtar mund të marrë pak kohë.

Këto komente, Hahn i ka bërë në Prishtinë gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Vizita e Johanes Hahn në Prishtinë, pason nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, një interesim i shtuar në Kosovë mbetet çështja e liberalizimit të vizave.

"Shpresoj që raporti ynë vlerësues në fund të këtij viti do të mund të konfirmojë që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kam besim për këtë. Por, e kam edhe një porosi sot që angazhimi duhet të vazhdojë për t'i plotësuar të gjitha rekomandimet e mbetura", ka thënë Hahn.

"Ju duhet të mësoheni me faktin që vendimet në Bashkimin Evropian mund të marrin kohë, ngase për liberalizimin e vizave duhet të merret pëlqimi i 28 vendeve", ka thënë komisioneri i BE-së.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se qeveria i ka proceduar të gjitha detyrimet në lidhje me përmbushjen e kritereve.

Sipas tij, Kosova pret që rekomandimi për liberalizim të vizave të bëhet nga fundi i këtij viti.

“Kemi pasur bashkëpunim intensiv me të gjitha ministritë dhe të gjitha rekomandimet do t’i arrijmë dhe do t’i përmbushim. Prandaj ne presim që Bashkimi Evropian të vendos për rekomandim për liberalizim të vizave”, ka thënë Mustafa.

Më pas, komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn ka mbajtur një fjalim edhe para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Aty, opozita e ka pritur me dy parulla që i mbanin në duar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ku thuhej: "Is ethnic segregation an EU value?!” (A është ndarja etnike një vlerë e Bashkimit Evropian?!) dhe “Unjust agreements shall not pass!” (Marrëveshjet e padrejta nuk do të kalojnë!).

Këto parulla të opozitës i referoheshin dialogut të Kosovës me Serbinë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe marrëveshjet e arritura.

Por, Johannes Hahn kishte një përgjigje edhe për opozitën. Ai tha se rruga e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian është e ndërlidhur ngushtë nga dialogu dhe zbatimi i marrëveshjeve me Serbinë.

"U apeloj të gjithëve në Kosovë që të mos e konsiderojnë dialogun si një pengesë, por si një mundësi për të avancuar agjendën integruese evropiane dhe promovuar integrimin rajonal", ka thënë Johannes Hahn.

Ai ka bërë të qartë se Kosova do të duhet t'i zbatojë të gjitha marrëveshjet me Serbinë.

Hahn ka folur edhe për bllokimin e punës së Kuvendit nga opozita, për çka inkurajoi që të gjindet një zgjidhje, ngase Kuvendi duhet të miratojë ligje të cilat janë të nevojshme edhe për proceset integruese evropiane.

"Obstruksionet dhe dhuna nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe në një shtet që ka aspirata evropiane", ka thënë komisioneri Hahn.

Gjatë kësaj vizite njëditore në Prishtinë, Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn kishte në agjendë ëdhe takimet e ndara me presidenten e Kosovës,Atifete Jahjaga, kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli si dhe një vizitë në Mitrovicë e cila i ka shërbyer atij për të realizuar takime edhe me përfaqësuesit lokalë të serbëve të Kosovës.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG