Ndërlidhjet

Kosova ende nuk arritur të bëjë reforma të mjaftueshme ekonomike për të krijuar një ambient të favorshëm biznesor, vlerësojnë përfaqësues që mbrojnë të drejtat e komunitetit të biznesit dhe njohës të çështjeve ekonomike.

Reformat ekonomike të bëra gjatë këtij viti nga Qeveria e Kosovës, siç është pakoja e re fiskale e cila ka hyrë në fuqi në 1 shtator të këtij viti po vlerësohet të jetë e pjesshme.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikanë në Kosovë, Arian Zeka në një prononcim për Radion Evropa e Lirë shprehet se këto lehtësira nuk janë gjithçka që bizneset do të donin të shihet.

“Ndryshimi i fundit i legjislacionit tatimor ka qenë një hap i rëndësishëm në përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, në veçanti për ofrimin e disa lehtësirave të reja për bizneset ekzistuese, dhe për ata investitorë që synojnë t’i tërheqim në vendin tonë. Megjithatë, ofrimi i të gjitha këtyre lehtësirave nuk është gjithçka çfarë komuniteti i biznesit do të donte të shihet".

Edhe Milazim Abazi, njohës i çështjeve ekonomike thotë se pakoja e re fiskale është një hap i vogël në drejtim të reformës fiskale.

“Kosova nuk ka nevojë të shpikë diçka të re, është në rëndësi të shihen konkurrentët tjerë që janë në Ballkan. Konkurrentët kryesor të Kosovës në Ballkan janë Maqedonia dhe Serbia. Maqedonia ka kushte disa herë më të volitshme, po ashtu ka edhe taksa më të ulëta sesa Kosova”, shton Abazi.

Nga 1 shatori i këtij viti ka filluar zbatimi i pakos së re fiskale. Në ndryshimet e pakos së re fiskale janë përfshirë ndryshimet në Ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar, Ligjin për tatimin në të ardhura personale, si dhe Ligjin për tatimin në të ardhura të korporatave.

Kjo pako nga zyrtarët qeveritarë ishte vlerësuar se ka pasur efekte pozitive në ekonominë e Kosovës dhe në të bërit biznes. Me lehtësiratqë janë bërë, ata kishindeklaruar se ka pasur investime të cilat kanë nxitur edhe punësim.

Zyrtarët, qeveritarë kanë bërë të ditur tani më se janë në finalizim e sipër të një udhëzimi tjetër që ka të bëjë me lirimet tatimore, për të krijuar zona të lira tatimore.

Megjithatë, të gjitha këto lehtësira të bëra, sipas drejtorit ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, nuk janë të mjaftueshme, dhe sipas tij, Kosovës i duhen edhe ndryshime tjera fiskale.

“Ajo çfarë i mbetet Ministrisë së Financave që së bashku me shoqatat ekonomike, Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës, sa më shpejtë të jetë mundur të identifikohen lista e lëndës së parë që importohet në vendin tonë dhe që përdoren në industrinë përpunuese dhe prodhuese të cilat momentalisht i nënshtrohen detyrimeve doganore të lirohen, në mënyrë që të rritet pozita konkurruese e bizneseve prodhuese që janë duke operuar në Kosovë”, thekson Zeka.

Ndërkohë, Banka Botërore në një raport të saj ka theksuar se dobësitë makroekonomike, papunësia e lartë dhe varfëria në Kosovë, kërkojnë reforma strukturore gjithëpërfshirëse për të nxitur rritjen ekonomike dhe për ta bërë atë të prekshme për të gjitha shtresat në Kosovë.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG