Ndërlidhjet

Aksidente si pasojë e kontrollit të mangët të veturave


Skulpturë me vetura të aksidentuara
Skulpturë me vetura të aksidentuara

Në Kosovë, numri i aksidenteve në komunikacion vlerësohet të jetë mjaft i lartë. Vetëm nga janari i këtij viti deri në muajin tetor, janë shkaktuar afër 15 mijë aksidente, prej tyre 93 aksidente me fatalitet me 105 persona të vdekur.

Sipas një hulumtimi që ka bërë Instituti për Hulumtime të Avancuara (GAP), thuhet se një nga arsyet e numrit të madh të aksidenteve në trafik është edhe kontrolli jo i duhur teknik i automjeteve.

Jeton Mehmeti, hulumtues në Institutin GAP, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se gjatë hulumtim të tyre kanë parë se ka shkelje të mëdha sa i përket kontrollit të automjeteve.

“Përderisa këtë vit qeveria ka hequr kufizimin e vjetërsisë së veturave të importuara, atëherë ne kemi dashur që të analizojmë se a janë shtrënguar masat e kontrollimeve teknike në Kosovë, dhe nga studimi ynë e kemi parë se masat e kontrolleve teknike nuk janë shtrënguar. Përkundrazi, aty ka lëshime të mëdha dhe për shkak të lëshimeve, mund të jetë një prej arsyeve që kemi numër të madh të aksidenteve në Kosovë dhe sidomos atyre me fatalitet”, tregon Mehmeti.

Në bazë të rregullores në fuqi, çdo veturë e importuar fillimisht duhet të kalojë testin e homologimit, para se të regjistrohet për herë të parë në Kosovë dhe në vitet pasuese duhet të kryejë vetëm kontrollim teknik.

Jeton Mehmeti nga Instituti GAP, tregon se edhe zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës kanë pranuar se këto qendra nuk kontrollojnë në mënyrë të duhur automjetet.

Mesatarja e vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë,ka treguar Mehmeti, është 18 vjet, apo 10 vjet më shumë se sa mesatarja e veturave që qarkullojnë brenda Bashkimit Evropian.

“Gjatë këtij hulumtimi, kemi gjetur se mesatarja e vjetërsisë së veturave në Kosovë është rritur shumë, sidomos kjo pas vendimit të qeverisë të vitit 2011 kur pati vendosur që në Kosovë të lejohet importi i veturave më të vjetra se tetë vjet. Që nga atëherë, mesatarja e vjetërsisë është rritur në 18. 1 vjet”, thekson ai.

Në anën tjetër, të dhënat e policisë tregojnë se edhe gjendja teknike e automjetit është një ndër shkaktarët e aksidenteve, por në një numër shumë më të vogël se faktori njeri.

Sheremet Ahmeti, drejtor i Divizionit në Komunikacion Rrugor në Policinë e Kosovës, tregon se në raste të rralla kanë hasur që automjeti të jetë është shkaktar i aksidenteve në komunikacion.

“Faktori njeri është dominues i aksidenteve në komunikacion. Rreth 85 për qind të rasteve të aksidenteve në Kosovë janë shkaktuar nga njeriu, 10 për qind nga rruga, derisa nga automjeti vetëm 5 për qind”, bën të ditur Ahmeti.

Sidoqoftë, hulumtuesit e Institutit GAP thonë se arsyeja pse kemi një numër aq të vogël të aksidenteve, si pasojë e gjendjes teknike të automjetit, mund të jetë për shkak se policia e trafikut nuk kërkon që automjeti i aksidentuar të dërgohet për kontrollim të jashtëzakonshëm teknik.

Ndryshe, Policia e Kosovës bën thirrje te të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të respektojnë shenjat e trafikut, t’iu përshtaten shpejtësisë së lejuar me shenjat e trafikut.

XS
SM
MD
LG