Ndërlidhjet

Buxheti i 2016-s, për përfundimin e projekteve të vjetra


Ilustrim

Ilustrim

Buxheti për vitin 2016 parashihet të jetë 1 miliard e 680 milionë euro. Nga kjo vlerë, 463 milionë euro të buxhetit janë paraparë të investohen në projekte kapitale apo pesë milionë më tepër sesa shpenzimet kapitale të dedikuara për vit.

Projektligji për buxhet është miratuar javën e kaluar nga Qeveria e Kosovës, por ajo që vërehet është se shumica e mjeteve do të shpenzohen për projektet e filluara gjatë këtij viti. Kjo, sipas ekspertëve për çështje ekonomike është praktikë pasi jo të gjitha projektet e mëdha kapitale mund të përfundojnë brenda një periudhe njëvjeçare.

Megjithatë, sipas tyre, nevojat e Kosovës për projektet kapitale janë jashtëzakonishttë mëdha.

Naim Gashi, ekspert për çështje ekonomike, për Radion Evropa e Lirë thotë se tendenca për të rritur shpenzimet kapitale, duhet të orientohet në tendencën për zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik. Sipas tij, sa më të fuqishme të jenë bizneset e brendshme në Kosovë, ato më shumë do të paguajnë taksa për shtetin.

“Se sa do të jenë të mjaftueshme këto projektet, unë mendoj se nevojat e Kosovës janë jashtëzakonisht të mëdha. Mirëpo, deri diku ato janë të orientuara në ndërtimin e autostradës Prishtinë- Shkup. Dhe disa projekte tjera strategjike që janë të mëdha ku përfshihen edhe projektet e komunave, infrastruktura rrugore, kanalizimet , ujësjellësit, ndërtimi i shkollave, spitaleve etj”, thotë Gashi.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, thotë se shumica e investimeve kapitale për vitin 2016, janë vazhdimësi e projekteve kapitale që kanë filluar dy tre vjet më herët, në fusha të ndryshme.

Edhe eksperti tjetër për çështje ekonomike, Naser Graiçevci, pohon për Radion Evropa e Lirë, se shuma e ndarë për projektet kapitale është në proporcion me shpenzimet tjera buxhetore.

Por, nga përvojat e deritashme rezulton se projektet kapitale nuk janë duke dhënë rezultatet e pritura, paraprakisht të përcaktuara nga dizajnuesit e këtyre projekteve .

“Në aspektin e ndikimit në ekonomi, ne kemi parë që kemi një infrastrukturë rrugore që po vjen gradualisht duke përfunduar. Dhe, nganjëherë vërehet se në Qeveri mungon kreativiteti, inovacionet e njerëzve përgjegjës në ndërtimin e politikave, por edhe të atyre që merren me projektet kapitale”, konsideron Graiçevci.

Përveç kësaj, Graiçevci thotë se gjatë zbatimit të projekteve vërehen lëshime të mëdha, si në burimin e aferave të ndryshme korruptive. Dhe, në këtë mënyrë bizneset janë jashtëzakonisht, siç thotë ai, të frustruara më mënyrën e menaxhimit të kësaj pjesë të parasë publike”

“Nuk ka dilemë këtë e sheh secili biznes, që paraja e buxhetit të Kosovës e destinuar për projekte të ndryshme, qoftë nga pjesa e projekteve kapitale, qoftë për mallra dhe shërbime, janë elemente dhe tregues të shumtë, që tregojnë se korrupsioni dhe keqpërdorimi e keqmenaxhimi janë prezent në gjithë këta vjet, e konkretisht në shtatë vjetët e fundit”, shton ai.

Edhe Naim Gashi, thekson se pavarësisht vlerës së ndarë për projektet kapitale, Qeveria e Kosovës duhet të shprehet transparente në shpenzimin e tyre. Kjo pasi fusha e prokurimit publik në Kosovë, thotë ai,konsiderohej terreni më i përshtatshëm i keqpërdorimit të parasë publike

Një nga kërkesat kryesore është që të fillojë prokurimielektronik, si një formë e cila do të tentojë të zvogëlojë shkallën e korrupsionit me paranë publike në Kosovë. Unë mendoj se edhe autoritetet tjera kompetente, siç janë prokuroria, agjencia anti- korrupsion, organet tjera hetuese, duhet të japin kontributin maksimal që paraja publike të shpenzohet aty ku e ka vendin”, thekson Gashi.

Megjithatë, në draft-buxhetin për vitin tjetër, mjete janë ndarë për ndërtimin, renovimin e objekteve qeveritare, shkollave, fakulteteve, ndërtimin, zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugëve në nivel qendror dhe komunal, si dhe ndërtimin e palestrave sportive në qytete të ndryshme.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG