Ndërlidhjet

Maqedoni: Rezerva ndaj zbatimit të marrëveshjes politike


Pamje nga Shkupi

Pamje nga Shkupi

Marrëveshja e arritur ndërmjet partive politike për çështjet kontestuese është vlerësuar pozitivisht në opinion, por rezervat mbeten sa i përket zbatimit të pikave të saj, duke marrë parasysh të kaluarën kur partitë në forma të ndryshme kanë penguar realizimin e saj.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, duke mos përjashtuar tensione të mëtejme, të cilat sipas, analistit Xhelal Neziri, më së shumti u konvenojnë partive në pushtet.

Ai thotë se nga marrëveshja kanë fituar partitë qeveritare pasi kanë arritur që të shtyjnë apo shkelin të gjitha afatet e parapara për zbatimin e saj, ndërkohë që kanë arritur të ruajnë datën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Neziri thotë se partitë në pushtet, edhe në të ardhmen do të luajnë në këtë kartë - të mos zbatojnë marrëveshjen, apo standardet që kërkohen dhe në anën tjetër, të mos shtyhen zgjedhjet.

“Mendoj se qëllimi i tyre ka qenë që të blihet apo të humbet sa më shumë kohë në procesin e zbatimit të marrëveshjes dhe në anën tjetër, të mos lëviz data e mbajtjes së zgjedhjeve më 24 prill. Kjo është arritur dhe është një sukses i tyre”.

Unë mendoj se këto dy parti, VMRO dhe BDI, sërish do të tentojnë të minojnë zbatimin e marrëveshjes deri në fund. Pra, zbatimin e standardeve që parasheh kjo marrëveshje për zgjedhje të lira dhe demokratike, të besueshme dhe të pranueshme për të gjitha palët, andaj pres që në periudhën që vjen, të ketë pengesa edhe më serioze, pengesa që do të thellojnë edhe më shumë krizën dhe në anën tjetër, të mos lëviz data e mbajtjes së zgjedhjeve“, thotë analisti Neziri.

Edhe Temelko Ristevski, profesor i sistemit politik në Universitetin Fon të Shkupit, pret që të ketë pengesa në zbatimin e marrëveshjes, por ai beson se me hyrjen edhe të opozitës në qeverinë kalimtare, kontrolli do të jetë më i fortë në aspekt të sundimit të së drejtës.

“Me hyrjen e opozitës në qeveri, vlerësoj se rritet shkalla e kontrollit ndaj pushtetit. Dy ministra që do të jenë nga radhët e LSDM-së nuk janë shumë, por në çdo rast paraqet një hap para në pengimin e pushtetit që të bëjë çfarë t’i teket“, vlerëson Ristevski.

Nga ana tjetër, ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Geret, thotë se marrëveshja do të jetë pjesë e raportit të progresit, por ai tërheq vërejtjen se pikat e saj duhet të zbatohen në tërësi, pasi në të kundërtën Maqedonia mund të humbë në procesin e integrimit evropian.

“Mendoj se është shumë mirë për vendin që u arrit marrëveshja, e cila shënon një hap para për Maqedoninë dhe përgëzoj të gjitha palët e përfshira në këtë proces. Raporti do të përmbajë më shumë rekomandime për Maqedoninë dhe informacione mbi gjendjen e demokracisë dhe sundimin e së drejtës, por edhe në sfera tjera në vend”.

“Andaj, konsideroj se është shumë me rëndësi të shihet përmbajtja, të kihet parasysh se çfarë hapa do të ndërmerren në të ardhmen“, deklaron për Radion Evropa e Lirë, Ambasadori i Britanisë së Madhe, Çarls Geret.

Ndryshe, partitë janë marrë vesh për shumë çështje, përfshirë edhe ato më të ndjeshmet që kishin të bënin me kompetencat e ministrave në qeverinë kalimtare dhe propozim/ligjin për ndalimin e publikimit të bisedave të përgjuara telefonike.

Marrëveshja parasheh që zëvendësministrat të kenë të drejtë të vetos ndaj vendimeve të ministrave lidhur me zgjedhjet e parakohshme.

Propozim-ligji për të ashtuquajturat “bombat”, parasheh dënime për mediat vetëm në rast të publikimit të bisedave të përgjuara telefonike që prekin privatësinë, por jo edhe për bisedat ku janë përfshirë politikanët e që vlerësohet se prekin interesin publik.

Në bazë të marrëveshjes, qeveria e re kalimtare me një kryeministër të ri nga radhët e VMRO-DPMNE-së, duhet të inaugurohet më së voni deri më 15 janar të vitit 2016, apo 100 ditë para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të parapara të mbahen më 24 prill.

XS
SM
MD
LG