Ndërlidhjet

logo-print

Fokus për përkrahje globale për pranim në UNESCO


Në prag të votimit në Konferencën e përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), për pranimin e Kosovës në këtë organizatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se janë duke e vazhduar lobimin.

Petrit Selimi, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, i cili po qëndron në Paris, ku edhe po mbahet Konferenca e përgjithshme e UNESCO-s, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosovën, të hënë, me 9 nëntor, e pret një sfidë, me gjasa reale mjaft pozitive.

Lobimi, për të mos e lënë Kosovën të izoluar në fushën e arsimit, shkencës dhe kulturës botërore, po vazhdon edhe sot, një ditë para votimit në Konferencën e Përgjithshme (të UNESCO-s)”.

“Është e qartë se shumica e botës e dëshiron Kosovën në UNESCO, por Kosovën e pret një prag i lartë, i dy të tretave të të gjitha votave dhe jemi duke u fokusuar që një numër sa më i madh i shteteve ta marrë vendimin e duhur dhe të lejojë që Kosova të bëhet anëtarja e 196 e UNESCO-s, në 70-vjetorin e organizatës”, thotë Selimi në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Hashim Thaçi, nëpërmjet rrjetit social facebook, të shtunën, ka falënderuar katër ish-shefat e Administratës së Kombeve të Bashkuar në Kosovë: Bernard Kouschner, Miachel Steiner, Søren Jessen-Petersen dhe Joachim Rücker, për, siç e ka quajtur ai, “lobim substancial”, sidhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Katër ish-shefat e UNMIK-ut i kanë dërguar letër UNESCO-s ku dëshmojnë se OKB-ja ka pasur gjithmonë parasysh t’ia transferojë kompetencat Kosovës dhe se Kosova meriton anëtarësim pas, siç thonë ata, ‘50 vjet komunizëm, 10 vjet shtypje dhe 18 muaj luftë’. Letra e fuqishme është dëshmi e fortë e suksesit të Kosovës”, ka shkruar në faqen e tij në facebook, ministri i Jashtëm i Kosovës, Thaçi.

Në anën tjetër, autoritetet e Beogradit, po vazhdojnë ta kundërshtojnë mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Zyrtarët serbë kanë kërkuar që çështja e pranimit të Kosovës në UNESCO të shtyhet deri në vitin 2017 dhe që kjo çështje të diskutohet në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dialogun në Bruksel.

Së fundmi, autoritetet serbe kanë kërkuar që votimi në Konferencën e përgjithshme të UNESCO-s të shtyhet për 13 nëntor, por kjo është hedhur poshtë.

Aleksandar Vulin, ministër në Qeverinë e Serbisë, ka theksuar se do të ishte mirë që fare të mos bisedohet lidhur me pranimin e Kosovës në UNESCO, por pasi që kjo është e pamundur, atëherëai ka përsëritur kërkesën e Qeverisë së Serbisë që kjo çështje të shtyhet për më vonë.

“Zgjidhja më e mirë është që ky vendim të shtyhet. Ju e keni parë që e gjithë qeveria jonë, diplomacia, kryeministri, kryetari i shtetit dhe të gjithë ministrat, që kanë pasur çfarëdo mundësie që të ndikojnë diku ose ta bartin lajmin apo të vërtetën për atë që po ndodh në Kosovë, këtë e ka bërë. Ne do të luftojmë, cilido që të jetë vendimi dhe do të luftojmë edhe një ditë më pas”, ka thënë Vulin.

Por, zëvendësministri Selimi thekson se Kosova i ka gjasat tejet të mëdha dhe pozitive për t’u bërë anëtare e UNESCO-s.

“Unë e shoh dhe e ndjej, si dhe çdo ditë ne jemi dëshmitarë të një përkrahjeje shumë të madhe për Kosovën, anë e mbanë botës, por edhe anë e mbanë vetë ndërtesës së UNESCO-s. Tash duhet të fokusohemi që kjo përkrahje të ketë përfshirje sa më globale edhe të votave të vendeve, që të vendosim nesër (të hënën) në orën 11:30, në Paris”, thekson Selimi.

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s,do t’i zhvillojë punimet deri me 18 nëntor, ndërkaq më 9 nëntor, 195 vende anëtare të kësaj organizate, do të votojnë nëse Kosova do të bëhet pjesë e UNESCO-s.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG