Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: “Bombat”, pikënisje e mirë për hetime


Ilustrim (©Shutterstock)

Ilustrim (©Shutterstock)

Njohësit e çështjeve juridike thonë se materialet e përgjuara, që i ka publikuar opozita, në bazë të së cilave ka indicie se zyrtarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në aferat korruptive, mund të jenë një pikënisje e mirë për hetime rreth rasteve të caktuara.

Reagimet e ekspertëve juridikë vijnë pas vendimit të Gjykatës Themelore në Shkup, e cila vendosi se materialet e përgjuara, të cilat i ka publikuar lideri i opozitës maqedonase Zoran Zaev, nëpërmjet të ashtuquajturave “bomba”, nuk mund të përdoren si dëshmi në gjykatë.

Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike, thotë se është krejtësisht çështje tjetër që provat, të cilat kanë dalë në pah nga bisedat e përgjuara, të mos merren si prova në kuptimin ligjor.

Por, në këtë fazë, Prokuroria speciale gjithsesi i tërë sistemi gjyqësor këto prova duhet t’i shfrytëzojë si indikacione në bazë të së cilave, krijohet dyshimi për keqpërdorimin e mjeteve, përkatësisht të mirave materiale të shtetit nga ana e zyrtarëve të caktuar ose drejtuesve të institucioneve shtetërore.

“Ku kemi një dyshim dhe ai dyshim është i arsyeshëm, atëherë për Prokurorinë nuk ka asnjë pengesë ligjore që mos të ngritë procedurë penale. Çështje krejtësisht tjetër është pastaj se gjatë procedurës penale do të vlerësohen përkatësisht do të analizohen dëshmitë, kjo është e drejtë e gjykatës”.

“Por, një gjë është më se e qartë se gjykatësi në bazë të detyrës zyrtare të vazhdojë me mbledhjen e provave, në bazë të së cilave do të mund të zbardhet rasti në funksion të sundimit ë drejtësisë”, thotë Kadriu.

Ndërkaq, ish-gjykatësja në Gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg, Margarita Caca-Nikollovska, sqaron se praktika evropiane, në mënyrë të qartë bën distinksion në ruajtjen e privatësisë, në të cilën thirren strukturat udhëheqëse të shtetit dhe asaj kur dikush me veprimet e tij kërcënon pronën e shtetit si e mirë materiale, e cila u dedikohet të gjithë qytetarëve.

“Nëse dëshironi të trajtoni praktikën e gjykatës evropiane për të drejtën e njeriut, duhet shikuar se cila e drejtë është shkelur në rastin konkret, le të themi se është shkelja e privatësisë, jetës familjare, komunikimit... në të cilën thirret pushteti. Një gjë është e qartë, se të gjitha këto të drejta nuk janë të drejta absolute”.

“Por, këto të drejta mund të pësojnërestrikcion ose të jenë të kufizuara në situatë kur bëhet fjalë për interesin publik, sigurinë kombëtare. Pra, Konventa për të drejtat e njeriut në nenin 8, paragrafi i parë qartë i definon këto të drejta dhe menjëherë më pas sqarohen në formë të detajuar kur kufizohen këto të drejta”.

“Në rastin konkret, ne në Maqedoni është më se e qartë se kemi të bëjmë me keqpërdorime të mëdha sa i përket interesit publik dhe këtë gjë e nxorën në dritë shumë qartë bisedat e përgjuara ndërmjet zyrtarëve të lartë të shtetit”, thotë Magarita Caca-Nikollovska.

Ndryshe, Gjykata Shkupi 1, gjatë javës së kaluar ka marrë vendim mori vendim gjatë javës së kaluar që “përmbajtja e materialeve të përgjuara mos të përdoret si dëshmi” sepse më parë Gjykata e Apelit e shpalli veten jokompetente për një gjë të këtillë.

Do theksuar se kërkesën për bisedat e publikuara nga opozita maqedonase në bazë të cilave pretendohet se zyrtarë të lartë të shtetit janë të përfshirë në afera korruptive të mos përdoren si dëshmi, e ka dorëzuar avokati i kryeministrit Nikolla Gruevski, në akuzat penale të opozitës kundër tij.

Prokurorja speciale, Katica Janeva, e cila të enjten përfundimisht arriti të kompletojë stafin e saj prej 12 anëtarësh, ka deklaruar se nga e hëna do të fillojë me punë aktive në bazë të ligjit, sipas të cilit ku parashihet trajtimi i materialeve të përgjuara, të cilat i ka publikuar opozita maqedonase pa dhënë detaje se cili është numri i lëndëve që do t’i trajtojë.

XS
SM
MD
LG