Ndërlidhjet

logo-print

Mosmiratimi i projekt-buxhetit, rrezikon kredinë me FMN-në


Ilustrim

Ilustrim

Për shkak të marrëveshjeve mes Qeverisë së Kosovës dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), projekt-buxheti i Kosovës për vitin tjetër duhet të votohet më së largu deri më 10 dhjetor dhe jo 31 dhjetor kur është koha e fundit sipas procedurave ligjore.

Kështu thonë për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të qeverisë, pasi sipas tyre, nga mesi i muajit tjetër mblidhet bordi ekzekutiv i FMN-së që do të aprovojë rivlerësimin e programit për Kosovëm.

Republika e Kosovës, në muajin qershor të këtij viti, përveç kërkesave tjera nga FMN-ja, ka arritur një marrëveshje për kredi në vlerë prej rreth 185 milionë euro, në kohëzgjatje prej 22 muajsh, për realizimin e disa projekteve kapitale.

Ndryshe, projekt-ligji për buxhet që kap vlerë 1 miliard e 680 milionë dhe që është në harmoni më FMN-në është miratuar nga Qeveria e Kosovës dhe është dërguar për diskutim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.

Por, mbetet e paqartë se kur mund të miratohet ky projekt-buxhet, duke marrë për bazë bllokimin e seancave të Kuvendit të Kosovës nga opozita.

Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ka thënë në pamundësia eventuale e miratimit të projekt-buxhetit mund të rrezikohet kredia nga FMN-ja dhe paraqiten pasoja tjera në aspektin financiar.

"Kjo është një çështje e vendimit që e merr bordi i FMN-së, mundet ndoshta të shtyhet përkohësisht. Mirëpo, rrezikohet kjo pjesa e rregullt e derdhjes se mjeteve nga FMN-ja".

"Kjo nënkupton se duhet të shikohet komplet buxheti dhe ka pasoja tjera, të cilat realisht neve na shtyjnë në një cikël ku duhet të ndryshojmë komplet strukturën e buxhetit. Pasojat mund të jenë bukur të mëdha, në kuptimin financiar, politik dhe të kredibilitetit”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Partitë politike opozitare tashmë kanë deklaruar se nuk do të votojnë projekt-buxhetin dhe nuk do të lejojnë zhvillimin normal të jetës parlamentare përderisa kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të mos i anulojnë marrëveshjet me Serbinë dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Ndryshe, ekspertë për çështje ekonomike theksojnë se për shkak të stabilitetit financiar dhe marrëveshjes ndërkombëtare projekt buxheti duhet të votohet nga deputetet në periudhën e paraparë.

Megjithatë Ismail Kastrati, thotë se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk duhet të jetë i ndikuar nga votimi i projekt-buxhetit nga partitë politike opozitare.

“Sigurisht se do të ketë refleksione edhe me FMN-në. Në rast të rrezikut të kredisë, është e mundur që në strukturën buxhetore të bëhen ndryshime dhe të bëhen alokime diku për mbulimin e ndonjë zëri buxhetor".

"Po, problem tjetër do ketë edhe më afatin e miratimit të buxhetit”, thekson Kastrati.

Ndryshe, muajin e kaluar një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka qëndruar për dhjetë ditë në Prishtinë për të kryer rishikimin e parë të programit ekonomik të Kosovës të mbështetur me Marrëveshjen Stand By.

Gjatë kësaj vizite shefi i misionit të FMN-në Kosovë, Jacques Miniane, ka thënë se aktivitetet e parlamentit nuk duhet të vonohen, sepse sipas tij, mund të kenë ndikim negativ në stabilitetin makro dhe mikrofiskal, si dhe mund të sjellin te vështirësitë që lidhen me planifikimin objektiv dhe realizimin e buxhetit për vitin në vijim.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG