Ndërlidhjet

Kuvendi mes marrëveshjes dhe bllokadës


Foto nga seancat e fundit
Foto nga seancat e fundit

Kuvendi i Kosovës nuk do të duhej të rifillonte me seancat plenare pa një marrëveshje paraprake ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Fjala është për arritjen e një qëndrimi politik në raport me marrëveshjen me Serbinë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe asaj me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Opozita këmbëngulë që të dyja marrëveshjet të anulohen ose në të kundërtën paralajmëron se do të paralizojë punën e Kuvendit, qoftë edhe përmes përsëritjes së skenarëve, siç është hedhja e gazit lotsjellës në sallën e deputetëve.

Marrrëveshjet opozita i sheh si të dëmshme për integritetin territorial të Kosovës.

Albert Krasniqi, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se seancat nuk duhet të mbahen pa një marrëveshje paraprake.

Sipas tij, për Asociacionin serb, spektri politik mund të merret vesh që çështjen e interpretimit ta dërgojë te Komisioni i Venedikut, pavarësisht që lënda është në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ngase opozita e ka kontestuar tashmë jo vetëm ligjshmërinë, por edhe paanësinë e vendimeve të këtij organi më të lartë interpretues të Kushtetutës së Kosovës.

"Është mirë që palët të dakordohen që lënda për Asociacionin t'i drejtohet Komisionit të Venedikut, i cili është një trup i pavarur që vepron në kuadër të Këshillit të Evropës. Ai përbëhet nga ekspertë, të cilët do të mund të vërtetonin nëse kjo marrëveshje është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës apo jo", ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë, sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Albert Krasniqi thotë se fillimisht duhet të caktohet një komision i brendshëm i cili do t'i vërtetojë pretendimet e opozitës se me këtë marrëveshje Kosova ka humbur territor apo jo.

Nëse kjo konstatohet, atëherë, Krasniqi thotë se çështja do të duhej t'i drejtohej Gjykatës së Arbitrazhit.

Në anën tjetër, analisti Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se lobimi i fuqishëm i Serbisë kundër pranimit të Kosovës në UNESCO duhet të nxjerr një mësim si për pozitën ashtu edhe opozitën rreth pozicionit të Kosovës në dialogun me Serbinë.

Qeveria, këto vitet e fundit, ka vijuar Doli, gjithë energjinë e vet e ka harxhuar në dialogun me Serbinë, por i cili, sipas tij, nuk solli ndonjë rezultat dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve mbetet shumë larg.

Njëherësh, ai fton edhe opozitën që të reflektojë pozitivisht dhe të mos përpiqet të fitojë poena politik nga kjo gjendje.

"Në raport me Serbinë, Kosovës i nevojitet një konsensus nacional. I nevojitet që t'i qartësojë objektivat e saj, si në raport me dialogun ashtu edhe në raport me pozicionin e saj në marrëdhënie ndërkombëtare dhe në pozicionin e saj në raport me BE-në dhe kërkesave që BE-ja i ka ndaj Kosovës, përpara se të fillohet të mendohet se cila nga këto parti politike të përfitojnë nga çdo zhvillim politik që ndodhë në Kosovë", ka thënë Doli.

Sidoqoftë, te spektri politik në pushtet dhe opozitë, nuk janë paralajmëruar nisma që do të çonin në relaksimin e gjendjes para se Kuvendi të rifillojë seancat e rregullta plenare.

Opozita është zotuar se do ta pengojë punën e Kuvendit përderisa marrëveshjet me Serbinë dhe ajo me Malin e Zi për demarkacion të mos anulohen. Partitë shumicë ndërkaq janë zotuar se puna e Kuvendit do të vazhdojë, pavarësisht kërkesave të opozitës.

XS
SM
MD
LG