Ndërlidhjet

Kosova avancon në integrime, ngec në reformat e brendshme


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian ka vlerësuar tri të arritura kryesore, ku përfshihen nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte dhe të arriturat në dialogun me Serbinë.

Ndërkaq, si ngecje ka veçuar sërish reformat në ekonomi dhe drejtësi. Po ashtu, raporti qorton edhe opozitën për shkak të bllokimit të punës së Kuvendit dhe përdorimit të dhunës.

Komisioneri për Negociata dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn përmes një video-mesazhi ka lavdëruar qasjen pozitive të Kosovës në dialogun me Serbinë dhe përparimet e bëra në proceset integruese, ndonëse ka kërkuar që marrëveshjet e fundit në këtë dialog të zbatohen.

Ai kishte një mesazh të veçantë për një përqendrim më të madh në fushat që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, me theks të veçantë në zhvillimin e reformave, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

"Kosova tani ka nevojë që të fuqizojë sundimin e ligjit, administratën publike dhe të përmirësojë kushtet ekonomike e sociale. Këto reforma janë të domosdoshme, jo për shkak të BE-së, por që ta bëjnë Kosovën një vend ku bizneset duan të investojnë dhe ku qytetarët kanë perspektivë, stabilitet e prosperitet për vete dhe fëmijët e tyre", ka thënë komisioneri Hahn.

Lidhur me raportin e sivjetmë të progresit për Kosovën, njohësi i çështjeve integruese evropiane, Shenoll Muharremi ka thënë për programin tonë se ky raport ka dy anë, atë ku njihen përparimet e të cilat kryesisht lidhen me dialogun me Serbinë dhe proceset integruese evropiane. Si dhe anën tjetër, ku ka ngecje që lidhen me ekonominë dhe drejtësinë.

"Është një raport 'miks' (i përzier) i cili është i mirë për BE-në dhe Qeverinë e Kosovës, por është i keq për qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Kjo për shkak të sfidave në ekonomi, pastaj ku thuhet që Kosova nuk e ka drejtësinë funksionale dhe duhet të kaloj nga strategjitë dhe legjislacionit në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit".

"Po ashtu, vlerësohet se është arritur përparim në aspektin legjislativ të standardeve evropiane, por që tani duhet të përcillet me aspekte konkrete në zbatimin e këtyre standardeve", ka theksuar Muharremi.

Po ashtu, raporti ka pjesë ku kritikon edhe opozitën për shkak të bllokadës së punës së Kuvendit të Kosovës, ka thënë Shenoll Muharremi.

"Përmendet edhe çështja e opozitës ku thuhet faktikisht që dhuna e përdorur nga ta nuk është në frymën evropiane dhe i bëhet thirrje që të kthehet sa më shpejt që të normalizohet Kuvendi për të mundësuar ndërmarrjen e reformave e nevojshme që i duhen Kosovës", ka deklaruar Muharremi.

Raportin e progresit, përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ia ka dorëzuar zyrtarisht ministrit të Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

Me këtë rast, Zhbogar ka deklaruar se pavarësisht përparimeve në fusha të caktuara, Kosova nuk ka kohë që të humb dhe ka ftuar institucionet që të dalin nga bllokada, sidomos në Kuvend dhe të fokusohen në përmbushjen e kritereve të mbetura evropiane.

"Ishte një vit i sfidave për Kosovën. Por po ashtu, janë shënuar arritje të mëdha. Ajo që ndodhi javët e fundit me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ishte një e arritur e madhe pasi shënon rastin e parë të një marrëveshjeje kontraktuale të Kosovës dhe Bashkimit Evropian", ka theksuar Zhbogar.

Komisioni Evropian publikon një herë në vit të gjeturat, që njihen si Raporte Progresi, për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Turqinë, me anë të të cilave mat përparimin e këtyre vendeve drejt integrimeve evropiane dhe përcakton detyrimet për të përmbushur kriteret.

Raporti i Progresit: Vlerësim për MSA-në

Me vlerësimin se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stablizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian më 27 tetor të vitit 2015, shënon një ngjarje të rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt së ardhmes evropiane, Raporti i Progresit i Komisionit Evropian për Kosovën thotë se me këtë marrëveshje është përmbyllur harta e MSA-së me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni Evropian publikon një herë në vit ato që njihen si Raporte Progresi, për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Turqinë, me anë të të cilave mat përparimin e këtyre vendeve drejt integrimeve evropiane dhe përcakton detyrimet për të përmbushur kriteret.

“Kosova ka arritur përparime në dy detyrime ndërkombëtare. Kuvendi i Kosovës ka votuar për ndryshimet kushtetuese, për ngritjen e Dhomave të Posaçme në muajin gusht [në kuadër të Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte], duke hedhur poshtë votën kundër të muajit qershor”, thuhet mes tjerash në përmbledhjen e raportit.

“Kosova gjithashtu ka konfirmuar përkushtimin e saj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke arritur marrëveshje me Beogradin mbi çështjen e energjisë, telekomit, urës në Mitrovicë dhe mbi ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe”, thuhet në raport, në të cilin gjithashtu kritikohen “pengimet e dhunshme të seancave plenare nga anëtarëte e opozitës, të cilat kanë ndikuar në funksionalitetin e Kuvendit”.

“Kjo duhet zgjidhur urgjentisht”.

Duke folur për sundimin e ligjit ndërkaq, raporti vlerëson se sistemi gjyqësor vuan nga mungesa e llogaridhënies dhe resurseve, dhe i nënshtrohet ndërhyrjes politike. Krimi i organizuar gjithashtu vlerësohet se :mbetet çështje për shqetësim.

“Kosova vazhdon të zgjerojë pjesëmarrjen e saj në arranzhime rajonale dhe multilateral të bashkëpunimit. Çështja e statusit të saj kërkon adoptimin e një qasjeje të durimit pragmatik”, thuhet mes tjerash në raport, përmbledhja e të cilit përfundon me përcaktimin se “përkushtimi i vazhdueshëm karshi dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë, vazhdon të jetë prioritet”.

Duke folur më 10 nëntor para deputetëve të Parlamentit Evropian në Komitetin për Politikë të Jashtme, Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn, ka thënë se këtë vit më qartë sqarohet se ku qëndrojnë shtetet lidhur me përmbushjen e kritereve për t'u përgatitur për afrim me BE-në.

Për Kosovën, ai tha se raporti ka marrë parasyshë faktin se gjashtë muajt e krizës politike që pasuan zgjedhjet e përgjithshme të qershorit të vitit 2014, kanë vonuar reformat kyçe.

"Kosova është në periudhë të hershme në shumë fusha dhe duhet të mbetet e përqëndruar në agjendën e saj të reformave", ka thënë zoti Hahn.

Sipas tij të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për më shumë zhvillim ekonimik dhe sundim ligji.

Duke folur për arritjet e vendeve anëtare, zoti Hahn ka thënë se përparimin më të madh e ka bërë Mali i Zi, i cili në negociatat e zgjerimit ka hapur 8 kapituj, ndonëse suksesi në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet i kufizuar.

Me tone pozitive zoti Hahn ka folur edhe për Serbinë, duke shprehur bindjen se "ajo këtë vit do të hapë kapitujt e parë në negociatat për anëtarësim".

XS
SM
MD
LG