Ndërlidhjet

A do ta shqyrtojë Kosova pozicionin e saj në dialog me Serbinë?


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës

Votimi i Konferencës së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), ka nxjerrë në pah përkrahësit e Serbisë, e cila me sjellje anti-perëndimore, ka kundërshtuar pranimin e Kosovës në këtë organizatë, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, përgjegjës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Edita Tahiri, ministre e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian duhet ta ketë parasysh sjelljen e Serbisë në UNESCO dhe gjatë fushatës së saj kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Sjellja e Serbisë në UNESCO, me këtë qëndrim anti-perëndimor dhe hegjemonist, është çështje që duhet ta preokupojë Bashkimin Evropian, sepse Bashkimi Evropian është në një proces të bisedimeve me Serbinë, për rrugën e integrimit të Serbisë".

"Prandaj, është një çështje më serioze, që tejkalon edhe çështjet e fqinjësisë së mirë. Në anën tjetër, Serbia, e cila vazhdimisht në dialogun e Brukselit angazhohet për normalizim dhe fqinjësi të mirë, ajo i shkeli parimet themelore të dialogut të Brukselit”, thotë zonja Tahiri.

Në anën tjetër, njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se sjellja e Serbisë është jashtë çdo logjike që del nga procesi i dialogut të Brukselit.

Sipas tyre, sjelljet e Serbisë janë në kundërshtim me parimet e integrimeve evropiane dhe e gjithë kjo situatë, sipas tyre, është një dështim i Bashkimit Evropian, i cili, sipas tyre, ka qenë neglizhues dhe së paku, nuk ka arritur ta bindë Serbinë që t’i ulë tensionet.

Naim Rashiti, analist në Grupin Ballkanik për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë, se e gjithë kjo do ta afektojë procesin e dialogut në Bruksel, në shumë pikëpamje, për shkak se proceset ndërkombëtare kanë evoluar më shpejtë në raport me dinamikën e dialogut.

Ndërkohë, sipas tij, dialogu tash e tre vjet është bërë kryesisht për çështje të brendshme të Kosovës.

“Qeveria [e Kosovës] duhet ta kuptojë qartë që domosdo dialogu do të afektohet. Nuk do të ketë dhe nuk do të duhej të ketë riformatim [të dialogut], por duhet të ketë riformatim të prioriteteve në dialog, e që ka të bëjë me futjen në agjendë, sa më shpejtë, të çështjeve bilaterale dhe marrëdhënieve bilaterale me Serbinë”, tha Rashiti.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Qeveria e Kosovës, me urgjencë duhet ta rishikojë pozicionin e saj në dialogun me Serbinë dhe në raport me Brukselin zyrtar.

“Nuk ka kuptim të rrihet urtë në këtë proces, pa kërkuar nga Brukseli që ose Serbia të disiplinohet dhe të mos e pengojë Kosovën në rrugën e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, siç edhe është zotimi i këtij dialogu, ose objektivisht marrëveshjet duhet pezulluar, përkatësisht, duhet vënë nën moratorium, derisa Serbia ta ndryshojë këtë qasje”.

Rashiti, nga ana tjetër thotë se Kosova duhet ta bëj të qartë se çka realisht do nga dialogu me Serbinë dhe ta bëjë të qartë se ky dialog është për normalizimin e marrëdhënieve.

“Krahas zbatimit të marrëveshjeve, që besoj se janë të mira, kryesisht për integrimin e serbëve të Kosovës, duhet të kemi marrëveshje intensive dhe me dinamikë shumë më intensive të marrëdhënieve bilaterale. Besoj që Serbia në mënyrë shumë të mençur i ka devijuar kësaj".

"Besoj që BE-ja e ka pranuar këtë lojë, sepse qëllimi i saj ka qenë që ta devijojë ndarjen e Kosovës, krizat dhe tensionet ndërkufitare dhe t’ia mundësojë Serbisë dhe Kosovës hapjen e rrugëve të tyre për integrime evropiane, duke injoruar në tërësi efektin e politikës kryesore të BE-së, të fqinjësisë së mirë”.

Por, a do të ketë rishqyrtim të pozicionit dhe qasjes së Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel?

Ministrja Tahiri thotë se, tash për tash, ende nuk ka ndonjë vendim lidhur me këtë çështje.

“Kjo është një pyetje e cila mund të marrë përgjigje pasi që ne të bëjmë analizat në qeveri dhe t’i marrim vendimet tona”, tha ministrja Tahiri.

Njohësit e zhvillimeve politike kanë vlerësuar se bërja e marrëveshjeve të deritashme me Serbinë dhe zbatimi i tyre ka arritur në një lloj status quo-je, për faktin se nuk ka plotësim të tyre, edhe me marrëdhënie bilaterale.

XS
SM
MD
LG