Ndërlidhjet

Lunacek: Vendimi i Kushtetueses duhet të respektohet


Ulrike Lunacek, foto arkivi
Ulrike Lunacek, foto arkivi

Nënpresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, ka deklaruar sot në Prishtinë se masa e Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar përkohësisht marrëveshjen mbi Asociacionin e komunave të banuara me shumicë serbe, duhet pranuar.

“Të presim çfarë vendimi do të marrë Kushtetuesja. E nëse vendimi i besohet Komisionit të Venedikut, edhe kjo është një ide e mirë“, ka thënë zonja Lunacek, duke shtuar se fillimisht duhet pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas saj, në rast se Gjykata kushtetuese vendos se përmbajtja e marrëveshjes nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, atëherë duhet bërë ndryshime.

"Nëse Gjykata Kushtetuese vendos në atë mënyrë, atëherë duhet të ndryshohen ato pjesët e marrëveshjes që nuk janë në harmoni me Kushtetutën. Për mua personalisht, problematike është pjhesa e marrëveshjes në të cilën thuhet se vetëm serbët mund të emërohen në pozita të caktuara. Në një vend shumëkombësh, kjo nuk do të duhej të ndodhte“, ka thënë Lunacek, në një takim me gazetarët në Prishtinë.

Duke folur, ndërkaq, për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve - pas vendimit të UNESCO-s që të mos e pranojë Kosovën si anëtare - Lunacek ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të kujdeset për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

"Marrëveshja e parë në Bruksel parasheh që vendet [nënshkruese] të mos e bllokojnë njëra-tjetrën në procesin e pjesëmarrjes në nisma rajonale. UNESCO nuk është organizatë rajonale, por bëhet fjalë për raporte të mira fqinjësore, që është edhe thelbi i dialogut. Për këtë arsye edhe po zhvillohet ai dialog, për fqinjësi të mirë. Ajo çfarë Serbia ka bërë me rastin e aplikimit të Kosovës në UNESCO dhe reagimi i kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, pas votimit, nuk hyjnë në frymën e raporteve të mira fqinjësore“, ka thënë Lunacek.

XS
SM
MD
LG