Ndërlidhjet

Raporti i progresit i Komisionit Evropian për Maqedoninë është shansi i fundit për vendin në përmbushjen e kriteteve të kërkuara, thonë njohësit e çështjeve politike duke komentuar kritikat e ashpra që përmban raporti më negativ të cilën e ka marrë Maqedonia në shatë vitet e fundit.

Vendi ka ruajtur rekomandimin për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por vendimi përfundimtar nëse do të nisin ose jo bisedimet, do të merret pas zgjedhjeve të prillit të cilat duhet të jenë të lira dhe demokratike ndërsa paraprakisht duhet përmbushur edhe shumë kritere tjera, ato që dalin nga marrëveshja politike dhe çështje tjera, që tashmë janë ngritur në raport, ku bën pjesë edhe kërkesa për hetimin e plotë të rastit të Kumanovës.

“Rekomandimi i kushtëzuar është minimumi që mund t'i jepej Maqedonisë dhe kjo nënkupton se refuzimi është afër, mirëpo i jepet edhe një shans që në një afat kohor të bëjë diçka që është e mundur për të hapur dyert e Bashkësisë Evropiane".

"Kjo ka të bëjë me krizën politike, krizën në Kuvend, krizën në qeveri, korrupsionin e lartë, rastin e kumanovës dhe çështje tjera. Këto në mënyrë të drejtëpërdrejt tregojnë se këtu punët nuk shkojnë ashtu siç duhet, por Bashkësia Evropiane duke u nisur nga ajo se Maqedonia është në Evropë, është më tolerante dhe i jep një shans tjetër Maqedonisë“, thotë Demiri.

Duke komentuar pohimet e kryeministrit, Nikolla Gruevski se raportin më të mirë për atë nëse qeveria ka punuar mirë ose jo, do ta jep populli në zgjedhjet e 24 prillit, analisti Demiri thotë se me këtë Gruevski tenton të relativizojë dështimet e qeverisë aktuale, para se gjithash shkeljet e shumta ligjore dhe aktivitetet kriminale, përfshirë edhe inskenimet e shumta, siç është edhe rasti i Kumanovës, i muajit maj, për të cilin në raportin e progresit kërkohen hetime të plota.

Demiri thotë se më rëndësi të madhe është fakti raporti rëndësi të madhe i kushton incidentit në lagjen e trimave në Kumanovë, që la 18 të vrarë dhe dhjetëra të arrestuar që lënë dyshime për inskenime të mundshme.

“Kjo do të thotë se kjo qeveri ka marrë pjesë në mashtrime dhe në kriminalitetin e madh i cili është i zhvilluar në Maqedoni. Kjo do të thotë se kjo qeveri ka inskenuar situata si ajo e Kumanovës apo si ajo më herët e Monstrës dhe shumë të tjera që janë një bagazh shumë i rëndë dhe nuk mund të ecet më to".

"Është vërejtja e fundit nëse kjo qeveri mundet të ndahet nga pisllëqet e veta, nga korrupsioni apo nga inskenimet të cilat i ka bërë vetëm për të qëndruar në pushtet“, thekson Demiri.

Nga ana tjetër, raporti i progresit kritika të shumta përmban edhe për gjendjen e mediave, përveç atyre politike, për raportet ndërentike, korrupsionin e çështje tjera.

“Ngecjet më të mëdha janë në sferën e mediave, apo lirinë e shprehjes. Kritika më të ashpra Maqedonia nuk ka marrë asnjëherë më parë, pra këto janë kritikat më të theksuara në 7-8 vitet e fundit. Nuk është vetëm problemi i mediave, por i një klime të përgjithshme në vend si pasojë e qeverisjes autoritare të pushtetit aktual".

"Se a mund të përmirësohet gjendja në të cilën ndodhet vendi, jo vetëm sa i përket mediave, por edhe fushave tjera, është shumë vështirë të parashikohet. Përvojat tona janë tragjike sa i përket këtyre çështjeve, pasi jo vetëm që nuk kemi përmirësim të çështjeve të apostrofuara, por kemi kthim prapa sa i përket reformave, lirisë së shprehjes, sundimit të ligjit, korrupsionit, raporteve ndërentike, e kështu me radhë“, thotë Erol Rizaov, njohës i çështjeve politike.

Partitë politike kanë dhënë vlerësime të ndryshme lidhur me përmbajtjen e raportit. Derisa kryeministri, Nikolla Gruevski ka relativuar përmbajten me kritika duke i'a lënë popullit të vendos në zgjedhje, partitë opozita kanë thënë se rekomandimi i kushtëzuar është rezultat i sjelljes së tyre konstruktive për përmbushjen e marrëveshjes politike, pasi Maqedonias sipas LSDM-së, ndodhej shumë pranë humbjes së rekomanndimit, por edhe të statusit të shtetit kandidat.

Bashkimi Demokratik për Integrim që është pjesë e qeverisë, vlerëson se raporti paraqet një pasqyrë reale e situatës së përgjithshme në Maqedoni dhe si i tillë obligon institucionet e vendit që të veprojnë në përputhje me kërkesat e Brukselit.

XS
SM
MD
LG