Ndërlidhjet

logo-print

Pezullimi i përkohshëm i Asociacionit nuk e zhbllokon Kuvendin


Seanca e 15 tetorit.

Seanca e 15 tetorit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shqiptimin e masës së përkohshme me të cilën suspendohet zbatimi i parimeve të përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, nuk e ka bindur opozitën që t'i kthehet punës normale të Kuvendit.

Opozita rithekson mosbesimin e saj në Gjykatën Kushtetuese, kurse masën e përkohshme, përveç se e sheh si një procedurë të rregullt të punës, e sheh edhe si një lloj "blerje kohe" nga partitë në pushtet për miratimin e buxhetit të vitit 2016 dhe disa ligjeve të cilat nga Qeveria janë vlerësuar të një rëndësie të veçantë.

Nisur nga këto qëndrime jo-premtuese se do të normalizohet puna në Kuvendin e Kosovës, nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, e cila po qëndron në Prishtinë, ka deklaruar se bllokimi i punës së institucioneve është i papranueshëm.

Ajo i ka kritikuar veprimet e opozitës që përcillen me bllokimin fizik të punës së Kuvendit, qoftë përmes hedhjes së gazit lotsjellës apo përdorimit të gjësendeve tjera.

"Kuvendi është vendi ku duhet të ketë dialog. Ku fjalët dhe argumentet duhet të ballafaqohen dhe jo format tjera. Unë shpresoj që opozita do të kthehet, t'i diskutojë këto çështje dhe përfshihet në debat", ka theksuar Lunachek. Marrë parasysh përplasjet që ka shkaktuar dialogu me Serbinë në raportet e brendshme politike në Kosovë, eurodeputetja kishte një mesazh edhe për qeverinë e Kosovës gjithashtu.

"Mendoj se do të ishte ide e mirë që qeveria, para se të shkojë në takimin e radhës me Beogradin dhe po ashtu edhe pas dialogut t'i drejtohet Kuvendit dhe të tregon se çfarë kërkon nga ky dialog dhe çfarë është vendosur aty", ka thënë Lunachek.

Procedimi i lëndës për vlerësimin e parimeve të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese është bërë nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kërkesa ka të bëjë me shqyrtimin e parimeve të saj, përkatësisht të interpretohet nëse ajo është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të zgjasë deri në javën e dytë të janarit të vitit 2016. Deri atëherë, Asociacioni nuk do të mund të themelohet ngase është i pezulluar.

Sidoqoftë, pavarësisht kësaj mase, opozita mbetet në qëndrimet e vjetra, duke u zotuar se do ta pengoj punën normale të Kuvendit deri në anulimin e tërësishëm të kësaj marrëveshje dhe marrëveshjes me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli ka thënë se nuk sheh ndonjë arsye që opozita të tërhiqet.

"Nuk ka asnjë kuptim që të vazhdojnë punimet e Kuvendit, për arsye se kryeministri Mustafa vazhdimisht potencon që nuk ka tërheqje nga marrëveshjet me Serbinë. Ne i kundërshtojmë këto marrëveshje, për arsye se e ndajnë Kosovën dhe e bëjnë atë jofunksionale. Pra, nuk ka kuptim që të diskutohet për disa çështje të cilat konsiderohen dhe deklarohen si të përfunduara", ka thënë Topalli.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit ka kërkuar që palët t’i zbatojnë obligimet që kanë marrë me anët ë marrëveshjeve.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini përmes një përgjigje me shkrim ka thënë se përderisa çështja është në proceset gjyqësore, duhet shmangur komentet.

Por, ka nënvizuar ajo, Brukseli pret që marrëveshja e 25 gushtit për Asociacionin të zbatohet.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sipas BE-së ka si qëllim normalizimin e raporteve mes dyja vendeve.

Por, lobimi i fuqishëm i Serbisë kundër pranimit të Kosovës në UNESCO ka ndikuar tashmë, jo vetëm te partitë politike, por edhe një pjesë e shoqërisë civile që t'i kërkojnë qeverisë ta rishqyrtojë pozicionin e Kosovës në këtë dialog.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG