Ndërlidhjet

OSBE: Shqetësim për projektligjin për shpifje në Shqipëri


Përfaqësuesja e OSBE-së për liri të mediave, Dunja Mijatoviq, sot ka shprehur shqetësim për projektligjin për ndryshim të Kodit Penal në Shqipëri dhe u ka bërë thirrje deputetëve të parlamentit që ta refuzojnë atë, pasi ai parasheh burgosje si dënim për shpifje kundër personaliteteve publike, thuhet në njoftimin e OSBE-së.

“Organet publike dhe zyrtarët nuk duhet të gëzojnë mbrojtje shtesë nga kritikat, përkundrazi ata duhet të tolerojnë kritika të shkallës më të gjërë se shtetasit e zakonshëm”, tha zonja Mijatoviq, dhe ka shtuar se “sanksionet penale për shpifje ose përgojim janë të tepërta dhe joperkatëse dhe se ato duhet të zëvendësohen me mjete efektive administrative dhe civile”.

Nëse miratohen në Kuvendin e Shqipërisë më 13 nëntor, propozimi i qeverisë parasheh dënim me burgim deri në tri vjet për “shpifje kundër zyrtarëve të lartë shtetërorë ose personit të zgjedhur”.

Në vitin 2012, autoritetet në Shqipëri patën vendosur ta shfuqizojnë dënimin me burg për shpifje dhe ky veprim ishte përshëndetur nga përfaqësuesi i OSBE-së për liri të mediave.

XS
SM
MD
LG