Ndërlidhjet

SHBA: "Xhihadisti John" në shënjestër të një sulmi


Pamje e një aeroplani pa ekuipazh amerikan
Pamje e një aeroplani pa ekuipazh amerikan

Zyrtarë amerikanë thanë mbrëmë vonë se në shënjestër të një sulmi me aeroplan pa ekuipazh të Shteteve të Bashkuara, ishte një makinë në Siri, ku besohet se gjendej militanti i njohur i maskuar i Shtetit Islamik, “Xhihadisti John”.

Por, nuk është e ditur nëse nga ky sulm është vrarë ky person me shtetësi britanike, i cili ishte paraqitur në disa video duke i vrarë me heqje koke disa persona të rrëmbyer perëndimorë.

“Xhihadisti John” i njohur edhe si Mohammed Emwazi, ishte cak i një sulmi ajror në Raka të Sirisë, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook. Sipas tij, zyrtarët ende po i vlerësojnë rezultatet e këtij aksioni.

Mohammed Emwazi ishte përshkruar nga ish-pengjet si psikopat gjakpirës, që kënaqej duke iu kërcënuar të rrëmbyerve perëndimorë.

Në mesin e atyre që ky person i kishte vrarë me heqje koke, duke i paraqitur videot në Internet vitin e fundit, ishin gazetarët amerikanë, Steven Sotloff dhe James Foley, punëtori humanitar ameirkan, Abdul-Rahman Kassig, punëtorët humanitarë britanikë, David Haines dhe Alan Henning, dhe gazetari japonez, Kenji Goto.

Emwazi, programues kompjuterik nga Londra, ishte lindur në Kuvajt në një familje me origjinë nga Iraku.

Prindërit e tij ishin vendosur në Britani në vitin 1993.

XS
SM
MD
LG