Ndërlidhjet

Partitë në Maqedoni para sfidave për lirinë e shprehjes


Puna e transmetuesit publik, RTVM, e Agjencisë së mediave dhe e Agjencisë informative maqedonase, janë çështjet për të cilat grupet e punës të partive politike duhet të merren vesh për heqjen e ndikimit politik dhe sigurimin e pavarësisë në informimin e tyre.

Bisedimet janë paraparë me marrëveshjen mes partive për zgjidhjen e krizës politike, por janë intensifikuar tani pas raportit të progresit, i cili si asnjëherë më parë është kritik sa i përket kërcënimit të lirisë së shprehjes në vend.

Bisedimet duhet të rezultojnë me ndryshime në Ligjin e medias dhe me ndryshime të kuadrove në transmetuesin publik.

Partitë po konsultojnë edhe shoqatat e mediave dhe ekspertë të kësaj sfere, të cilët gjendjen në media e vlerësojnë si shumë të rëndë, e që sipas tyre, dëshmohet edhe nga raporti i progresit i Komisionit Evropian.

“Ajo çfarë mund të bëhet për momentin është që elitat politike t'i dëgjojnë organizatat dhe shoqatat e mediave, ata që kritikojnë për atë që po ndodhë në përditshmërinë tonë, propozimet e shoqatës së gazetarëve dhe të gjitha vërejtjet të cilat i kemi prezantuar tashmë një kohë të gjatë".

"Duhet të veprohet në depolizimin e transmetusit publik, në ndryshime në agjencinë e mediave dhe vendosjen e ekspertëve në këtë organ të rëndësishëm. Duhet të kontrollohet edhe përmbajtja e mediave private, në mënyrë që gjërat të fillojnë gjërat të lëvziën përpara, pasi ndodhemi në një gjendje shumë të rëndë sa i përket lirisë së shprehjes“, thotë Zhaneta Trajkovska nga Shkolla e Lartë për Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun.

Kryetari i Shoqatës së Gazëtarëve të Maqedonisë, Naser Selmani thotë se Maqedonia ka marrë raportin më kritik, por më realin në 7-8 vitet e fundit sa i përket mediave.

Gjendja sipas tij duhet të ndryshohet pasi përveç presioneve tani kemi edhe dhunë ndaj gazetarëve, sulme fizike, burgime, e kërcënime me vdekje. Këtë, thotë Selmani, tani e ka kuptuar edhe Bashkimi Evropian.

“Në këtë moment vlen të theksohet se pjesë e raportit janë elementet të cilët nuk kanë qenë të pranishme në raportet e mëparshme. Bashkimi Evropian për herë të parë flet për dhunën që ushtrohet ndaj gazetarëve, përmendet dy raste kur gazetarët kur gazetarët kanë janë kërcënuar me vdekje“, thekson Selmani.

Ai thotë se ndryshime ligjore duhet të ketë për të rregulluar aspektet juridike të funksionimit të mediave, por me rëndësi sipas tij është edhe përgjegjësia, apo ndjekja penale e atyre politikanëve që kanë marrë guximin të ngritën dorë ndaj gazetarët.

“Unë mendoj se çfarë do ligjesh që do të sillen, nuk do të kenë kurrfarë efekti në përmirësimin e gjendjes së mediave në vend nëse nuk ndërpritet dhuna kundër gazetarëve. Kur një politikan sulmon një gazetar, nuk sulmohet vetëm se gazetari apo media, por dhunohet e drejta e qytetarëve për tu informuar në mënyrë të drejtë dhe objektive“, thotë Selmani duke kujtuar rastin më zëvendëskryeministrin, Vlladimir Peshevski i cili ishte regjistruar duke vrapuar dhe goditur një gazetar që e priste për t'i bërë pyetje, që sipas tij ishin provokuese.

Bisedimet lidhur me rregullimin e sferës së mediave duhet të përfundojnë deri më 20 nëntor, sipas një afati të vendosur nga vet partitë politike. Ndryshe, presionet dhe kërcënimet ndaj mediave kanë dalë në sipërfaqe nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

Kjo, dhe çështje tjera kanë bërë që mediat në Maqedoni të jenë objekt i analizave dhe raporteve të ndryshme të organizatave relevante ndërkombëtare, të cilat e kanë pozicionuar Maqedoninë në grupin e shteteve me liri të kufizuar të shprehjes.

XS
SM
MD
LG