Ndërlidhjet

logo-print

Cameron: Mbetet e paqartë se a është vrarë “xhihadisti Xhon”


David Cameron

David Cameron

Kryeministri i Britanisë, David Cameron, tha se mbetet e paqartë nëse militanti i Shteti Islamik, i cili i ka vrarë me heqje koke disa persona të rrëmbyer perëndimorë duke i paraqitur këto vrasje në video të grupit ekstremist, është vrarë gjatë një sulmi amerikan.

Më herët gjatë ditës, rrjeti BBC-i ka cituar një zyrtar të lartë të ushtrisë britanike që ka thënë se ekziston “shkallë e lartë e sigurisë” se militanti britanik i njohur si “xhihadisti John” ishte qëlluar nga sulmi ajror me aeroplan amerikan pa ekuipazh në qytetin sirian, Raka, që është bazë e grupit ekstremist, Shteti Islamik.

Njëherësh, mediat amerikane duke cituar një zyrtar të paemëruar të Shteteve të Bashkuara, raportojnë se sulmi ajror ishte “i përsosur” dhe se militanti famëkeq britanik ishte “zhdukur”.

Mbrëmë Pentagoni ka konfirmuar se e kishte pasur në shënjestër një makinë që e transportonte militantin e maskuar, i cili ishte paraqitur në disa video të militantëve të Shtetit Islamik, duke i vrarë me heqje koke të rrëmbyerit perëndimorë.

Militantit britanik, emri i vërtetë i të cilit është Mohammed Emwazi, ishte përshkruar nga ish-pengjet si psikopat gjakpirës, që kënaqej duke iu kërcënuar të rrëmbyerve perëndimorë.

Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha sot se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara “ka ndërmarrë sulm ajror në shënjestër të të cilit ishte Mohammed Emwazi, shtetas britanik, po ashtu i njohur si xhihadisti Xhon”.

Mëtutje, zoti Kerry theksoi se “ne ende po i vlerësojmë rezultatet e këtij sulmi, por terroristët e bashkuar me grupin Daesh (emërtim arab i Shtetit Islamik) duhet ta dinë këtë: ditët e juaja janë të numëruara dhe juve do t’ju shkaktojmë disfatë”.

XS
SM
MD
LG