Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi: Shembulli i UNESCO-s, mesazh për Bashkimin Evropian

  • RFE /RL

Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Ministri i Jashtëm, njëherësh zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se rasti i fushatës agresive të Serbisë, e cila rezultoi me mospranimin e Kosovës në UNESCO, duhet të shërbejë si mesazh për Bashkimin Evropianë, se vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të integrohen në “pako” në BE.

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, jeni në Pragë për të marrë pjesë në takimin e Vishegradit. A mund të shpjegoni, fillimisht, cilat janë përfitimet e Kosovës nga pjesëmarrja në këtë takim?

Hashim Thaçi: Takimi i Vishegradit vlerësoj se është një takim për të ardhmen e integrimeve evropiane. Derisa para 15 vjetëve këto vende që përbëjnë Vishegradin, aspironin për t’u integruar në BE, sot kjo është shndërruar në realitet. Këto vende mbështesin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Me rëndësi është se këtu sot ishte pjesëmarrës edhe sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, si dhe liderë të vendeve tjera, për t’i dhënë mbështetje të fuqishme aspiratës evropiane, të vendeve të rajonit të Ballkanit.

Ajo që dua të theksoj - është një mbështetje e gjerë politike dhe diplomatike, është një mbështetje e të arriturave të rajonit, duke i marrë gjithmonë parasysh sfidat dhe vështirësitë që ballafaqohemi, qoftë me zbatimin e kritereve të Kopenhagës, të domosdoshme për integrime evropiane. Këtu përfshihen edhe reformat ekonomike, politike dhe legjislative, ndërtimi i fqinjësisë së mirë. Është me rëndësi që sot është krijuar edhe Fondi për Ballkanin Perëndimor, që do të ketë ndikim në zhvillimin dhe përshpejtimin e ndikimeve për qytetarët tanë.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te integrimet në nisma evropiane dhe ndërkombëtare, përgjithësisht, java që po lëmë pas ka shënuar një dështim të Kosovës për t’u anëtarësuar në UNESCO. Kosova, vërtet, ka fituar përkrahje, 92 vende kanë votuar “për”. Megjithatë, si e shpjegoni faktin se disa nga shtetet që kanë njohur tashmë Kosovën, nuk ia dhanë besimin?

Hashim Thaçi: Është shumë me rëndësi që kemi fituar 92 vota nga vendet e botës demokratike, për t'u përballur me fushatën e padrejtë dhe agresive të Serbisë, e cila është mbështetur nga regjimi i Assadit, Koreja Veriore dhe Rusia.

Ajo që është e rëndësishme, për Kosovën është se ne ishim në anën e drejtë të historisë. Dhe, vendet, me të cilat kemi punuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, ishin në anën tonë. Ne konfirmuam se shembulli i UNESCO-s, duhet të jetë mesazh për Bashkimin Evropian, që vendete rajonit duhet të integrohen në pako, duke marrë për bazë se Serbia ka ndryshuar sjelljet e saj me Brukselin, por në raport me Kosovën, i ka sjelljet e njëjta, anti-evropiane.

Radio Evropa e Lirë: Votimi në UNESCO ka bërë që në Kosovë të shtohen zërat, jo vetëm nga forcat politike në opozitë, por edhe nga shoqëria civile, që të rishqyrtohet dialogu me Serbinë, marrë parasysh fushatën e saj intensive kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. A ka kuptim dialogu, në formatin aktual, për Prishtinën zyrtare?

Hashim Thaçi: Ne nuk mund ta ndërtojmë agjendën tonë shtetërore dhe ta fuqizojmë atë, me hatërime. Ne duhet që këtë agjendë ta avancojmë dhe ta fuqizojmë. Duhet të shikojmë kah e ardhmja dhe jo të mbetemi peng i veprimeve, të mentalitetit të së kaluarës së Serbisë. Ndoshta Serbia dëshiron pikërisht këtë që Kosova të devijojë nga agjenda që e ka të përcaktuar, të konsultuar dhe të mbështetur nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë.

Ne do të punojmë në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, për të vazhduar për të aplikuar edhe në organizata tjera ndërkombëtare dhe për ta kurorëzuar vitin 2015, si vit evropian për Kosovën, me rekomandimin e Komisionit Evropian, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Serbia, gjithashtu, ka akuzuar Prishtinën se nuk është e gatshme ta zbatojë marrëveshjen e arritur për Asociacionin, të cilën Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht. Si do t’u përgjigjeshit ju këtyre akuzave?

Hashim Thaçi: Ajo që është me rëndësi është se marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, thekson vendimin e Gjykatës Kushtetuese, për përmbajtjen e Marrëveshjes, që është arritur në Bruksel. Tani, kjo marrëveshje është në Gjykatën Kushtetuese dhe është e drejtë procedurale që në momentin kur Gjykata pranon një lëndë, shfuqizohet përkohshëm. Kështu që, është në procedurë krejt të rregullt dhe nuk ka motivim politik. Ne u qëndrojmë të gjitha marrëveshjeve të arritura.

Radio Evropa e Lirë: Marrëveshja kundërshtohet ashpër nga forcat politike në opozitë, të cilat janë zotuar se do të vazhdojnë ta bllokojnë Kuvendin, nëse ajo marrëveshje nuk zhbëhet. Madje, ata kanë thënë se nuk i besojnë as Gjykatës Kushtetuese. Keni ndonjë zgjidhje për të dalë nga situata aktuale?

Hashim Thaçi: Opozita në Kosovë duhet t’i besojë dikujt, ose t’i besojë Gjykatës, ose Kuvendit, ose institucioneve. Ata tashmë nuk po i besojnë askujt, as Gjykatës Kushtetuese, as Kuvendit,as institucioneve legjitime, nuk i besojnë as vullnetit të qytetarëve, as SHBA-së, BE-së, NATO-s.

Megjithatë ata duhet t’i parashtrojnë një pyetje vetes së çfarë po ndodh me ta, sepse Kosova nuk mund të mbetet peng i këtij mentaliteti të mosbesimit të opozitës dhe veprimeve të tyre të dhunshme dhe të jashtë ligjshme.

Radio Evropa e Lirë: Ju jeni pjesë e Qeverisë dhe nëse nuk tërhiqen nënshkrimet, opozita thotë se do të vazhdojë ta bllokojë Kuvendin. Cila është alternativa për të dalë kjo krizë?

Hashim Thaçi: Ne do të punojmë me agjendën tonë euro-atlantike. Opozita nuk do të mund ta pengojë punën e Kuvendit, sepse ata nuk kanë argumente për një gjë të tillë dhe natyrisht se ne po punojmë si partnerë të një koalicioni të qëndrueshëm, që të mos i japim argumente asnjë oponenti për veprime të tilla. Mendoj se tani janë tejkaluar veprimet opozitare, brenda kornizave pozitë-opozitë, ata kanë marrë një karakter veprues paramilitar dhe jopolitik.

Intervistoi: Berianë Mustafa

Trego komentet

XS
SM
MD
LG