Ndërlidhjet

Faza e re e raporteve Kosovë-Serbi, afekton dialogun


Ilustrim

Ilustrim

Dështimi që Kosova të anëtarësohet UNESCO, si dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e përkohshëm të marrëveshjes me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kanë krijuar, përmes medieve, debate të shumta dhe polemika të ashpra ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, por edhe njohësve të zhvillimeve politike në Kosovë.

Këta të fundit thonë se polemikat tashmë po dërgojnë sinjale se ngjarjet e fundit do të reflektojnë edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të ndërmjetësuar aktualisht nga përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini

Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar fushatën e Serbisë kundër pranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, si të “fushatë të egër dhe me tone raciste”.

Në anën tjetër, partitë opozitare në Kosovë po kundërshtojnë me ngulm marrëveshjen e arritur në dialog me Beogradin për Asociacionin e komunave serbe, duke e konsideruar atë të dëmshme për shtetin e Kosovës dhe si hap drejt ndarjes në vija etnike të vendit.

Këto përplasje kanë sjellë si pasojë edhe bllokimin e punës së Kuvendit. E gjithë kjo është pasuar me nismën e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, që më 30 tetor të dërgojë kërkesën që Gjykata Kushtetuese të bëjë vlerësimin e përputhshmërisë së parimeve të Asociacionit të komunave me shumicë serbe me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese, pezullimin e kësaj marrëveshjeje e ka cilësuar si “masë të përkohshme, e cila është pa paragjykim ndaj ndonjë vendimi të mëtejshëm që do të nxirret nga Gjykata për pranueshmërinë apo për meritat e kërkesës”.

Situata pas vendimit të UNESCO-s

Menjëherë pas vendimit të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO për mosanëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë dhënë shenja se e gjithë kjo çështje do ta afektojë dialogun në Bruksel, duke theksuar se pengimi që Serbia i ka bërë anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, tejkalon madje edhe çështjet e fqinjësisë së mirë.

Ministrja e Qeverisë së Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se me këtë rast Serbia i ka shkelur parimet themelore të marrëveshjes së Brukselit.

“Serbia, e cila vazhdimisht në dialogun e Brukselit angazhohet për normalizim dhe fqinjësi të mirë, ajo i shkeli parimet themelore të dialogut të Brukselit. Nga ana jonë, si Kosovë dhe si shtet i ri, i cili angazhohet për integrimet në Bashkimin Evropian, në NATO, në OKB dhe të tjera, ne dialogun me Serbinë e bëjmë në kuadër të standardeve të fqinjësisë së mirë”, ka theksuar ministrja Tahiri.

Lidhur me atë se a do të ketë rishqyrtim të pozicionit dhe qasjes së Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, ministrja Tahiri, ka potencuar se ende nuk ka ndonjë vendim lidhur me këtë çështje.

“Kjo është një pyetje, e cila mund të marrë përgjigje pasi që ne të bëjmë analizat në Qeveri dhe t’i marrim vendimet tona”, ka thënë ministrja Tahiri.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte shprehur habinë se si Kosova ka tentuar të anëtarësohet në UNESCO, pa biseduar me Serbinë në Bruksel, për këtë çështje.

“Për ne, është e rëndësishme që dialogu do të vazhdojë. Por, ju them të vërtetën se kemi qenë aq shumë të zhgënjyer me gjithë atë aksion, se si është zhvilluar, sa që nuk mund të jemi të zhgënjyer se si ka përfunduar. Ndërkaq, kjo që shoh, se një numër i zyrtarëve evropianë gjithashtu po qajnë, çfarë t’iu bëj atyre? Kjo është politikë e tyre dhe ata e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe sillen në përputhje me politikën e tyre. Por, edhe Serbia sillet në përputhje me politikën e saj”, ka thënë Vuçiq.

Por, njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, kanë theksuar se mospranimi i Kosovës në UNESCO do ta afektojë dialogun dhe Kosova duhet ta shqyrtojë pozicionin dhe qasjen e saj në dialogun me Serbinë.

Sipas tyre, dialogu deri tash, është bërë kryesisht për çështje të brendshme të Kosovës dhe nuk është arritur ndonjë përparim i theksuar në rrafshin emarrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Fisnik Korenica, analist nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka vlerësuar se pas çështjes së UNESCO-s, tashmë është krijuar një rrafsh të ri në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Mendoj që ka një gjendje të re politike të krijuar në relacionet në mes të dyja vendeve, e cila e imponon Kosovën, për herë të parë, që shumë seriozisht ta rishikojë tërë strukturën e këtij dialogu, qëllimet finale të tij dhe ta bëjë një bilanc se sa realisht fitoi Kosova nga ky dialog apo sa humbi. Pa u bërë ky bilanc nuk ka asnjë logjikë”.

“Një shtet që ka maturi minimale politike, nuk do të mund ta vazhdonte këtë dialog pa e qartësuar njëherë se në çfarë forme Kosova humbi gjatë kësaj periudhe, përfshirë këtu edhe dështimin në UNESCO”, ka vlerësuar Korenica.

Por, pse nuk ka pasur ndonjë reagim të Bashkimit Evropian lidhur me pengimin që Serbia i bëri Kosovës për tu anëtarësuar në UNESCO?

Ministrja Tahiri ka thënë se konsideron që Bashkimi Evropian angazhohet për politikat e veta dhe për proceset brenda organizatës që ka dhe, sipas saj, aty edhe mund të shihet reagimi.

“Bashkimi Evropian ka një reagim të bazuar ndaj Serbisë, sepse e ka bllokuar Serbinë tash e dy vjet në rrugën e integrimit evropian, për shkak të dialogut të Brukselit dhe për shkak se Serbia nuk po i zbaton si duhet marrëveshjet e Brukselit. Kjo është e njohur. Pra, Bashkimi Evropian po flet përmes veprave”, ëshët shprehur Tahiri.

Megjithatë, nënpresidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të kujdeset për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas saj marrëveshja e parë në Bruksel parasheh që vendet [nënshkruese] të mos e bllokojnë njëra-tjetrën në procesin e pjesëmarrjes në nisma rajonale. Siç ka thënë ajo, UNESCO nuk është organizatë rajonale, por bëhet fjalë për raporte të mira fqinjësore, që është edhe thelbi i dialogut.

“Ajo çfarë Serbia ka bërë me rastin e aplikimit të Kosovës në UNESCO dhe reagimi i kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, pas votimit, nuk hyjnë në frymën e raporteve të mira fqinjësore“, ka thënë Lunacek.

Reflektimet pas pezullimit të marrëveshjes për Asociacionin

Se raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë hyrë në një fazë të re, kjo po shpërfaqet pas pezullimit të përkohshëm të marrëveshjes me Serbinë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ana e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të martën e kaluar, më 10 nëntor.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet tërësisht dhe nga të gjithë, përfshirë këtu edhe qytetarët serb të Kosovës.

“U bëj kërkesë të gjithë qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe ata të komunitetit serb, që gjatë kësaj periudhe të mos ndërmarrin asnjë aktivitet në lidhje me Asociacionin, përndryshe, do të bëjnë shkelje kushtetuese”, ka thënë zëvendësministri Gecaj.

Por, përfaqësuesit e serbëve në Qeverinë e Kosovës, kanë shprehur shqetësimin e tyre për vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Dalibor Jevtiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka theksuar se nga ky Asociacion varet e ardhmja e serbëve të Kosovës.

“Është fakt që, në qoftë se në periudhën e ardhshme, nëse nuk arrijmë deri te zbatimi i marrëveshjes jo vetëm të Bashkësisë së komunave serbe, por gjithçka që ndihmon relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet popullit serb dhe atij shqiptar, gjithsesi do të ndikojë edhe në procesin e kthimit. Për këtë jemi shumë të shqetësuar”, ka thënë ministri Jevtiq.

Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Vuçiq, ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, duke theksuar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe është çështje e përfunduar.

“Esenca është në atë që ata dëshirojnë që përsëri të hapet tema e Bashkësisë së komunave serbe. Pra, Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut me Prishtinën. Serbia ka biseduar, ka negociuar dhe ka bërë marrëveshjen për Bashkësinë e komunave serbe. Ajo marrëveshje është nënshkruar dhe kjo për ne është çështje e kryer. Ndryshe, nëse ata dëshirojnë që të hapin temën se kush, ku, çka dhe me cilën kushtetutë është në përputhje, atëherë hapet ‘Kutia e Pandorës’ shumë serioze dhe e rrezikshme”, është shprehurVuçiq.

Por, sipas zëvendësministrit Gecaj, autoritetet e Kosovës nuk presin që kjo situatë e krijuar pas pezullimit të krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të ndikojë në gatishmërinë e Kosovës për dialogun me Serbinë në Bruksel.

“Jo nuk presim. Ne nuk presim, por nëse pala serbe ka probleme me këtë çështje, atëherë është çështje e tyre. Megjithatë, kryeministri i tyre (Vuçiq), së bashku me kryeministrin (Isa) Mustafa dhe zonjën (Federica) Mogherini, kanë nënshkruar një marrëveshje, pika e dytë e së cilës parasheh që kjo marrëveshje do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese".

"Pra, ata kanë nënshkruar, me vullnetin e tyre, që kjo marrëveshje do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese dhe as Qeveria e Serbisë, as Qeveria e Kosovës, por as Brukseli nuk mund të përzihen në sistemin gjyqësor, pra, nuk mund të përzihen në procedurat e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Gecaj.

Ai ka shtuar se është Gjykata Kushtetuese ajo që do të vendosë se si do të veprojë, kur do të veprojë dhe çfarë vendimi do të nxjerrë.

Analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, ka theksuar se pas zhvillimeve të fundit politike në rrafshin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Qeveria e Kosovës duhet që të shqyrtojë pozicionin dhe qasjen e saj në dialogun me Serbinë.

“Qeveria e Kosovës, duhet të bëjë memorandum dhe me këtë pikë t’i drejtohet Brukselit zyrtar, përkatësisht zonjës Mogherini, që praktikisht ta njoftojë që Prishtina zyrtare po e rishqyrton tërësisht procesin e dialogut dhe marrëveshjet me këtë shtet (Serbinë)”, ka vlerësuar Matoshi.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i dizajnuar nga Bashkimi Evropianpër normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve,ka nisur më 8 mars të vitit 2011, fillimisht për çështje teknike, për të evoluar në dialog politik në vitin 2013.

Më 25 gusht të këtij viti, ndër të tjera është arritur edhe marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG