Ndërlidhjet

logo-print

Kosovë: Arrestohen tre persona të dyshuar për terrorizëm


Policia e Kosovës, dje ka arrestuar 3 persona të dyshuar se kanë ndërmarrë vepër penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

“Mund të konfirmojmë se me datën 15. 11. 2015, Drejtoria kundër terrorizmit në kuadër të Policisë së Kosovës, ka arrestuar tre persona të dyshuar, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale: organizimi dhe pjesëmarrja në grupe terroriste, Neni 143, paragrafi 2 i Kodit penal të Republikës së Kosovës, vepër e mbetur në tentativë. Të dyshuarit janë arrestuar në pikën kufitare të Hanit të Elezit, pasi që në bashkëpunim, janë kthyer nga autoritetet turke përmes Republikës së Maqedonisë”, ka theksuar Hoxha.

Ai ka shtuar se lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kompetent dhe me autorizimin e këtij të fundit janë intervistuar tre të dyshuarit dhe gjithashtu si vazhdimësi e hetimeve më urdhër të prokurorit dhe të gjyqtarit të procedurës paraprake janë bastisur edhe dy lokacione të të dyshuarve.

Gjatë bastisjes në këto dy lokacione janë gjetur dëshmi relevante të cilat ndërlidhen me rastin dhe gjithashtu ndihmojnë në vazhdimësinë e hetimeve të këtij rasti.

Me urdhër të prokurorit të tre personat e dyshuar janë ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë, deri në paraqitjen pranë gjykatës kompetente.

XS
SM
MD
LG