Ndërlidhjet

Riatdhesohen mbi 15 mijë migrantë


6 shkurt 2015 / Foto nga arkivi e migrantëve kosovarë

6 shkurt 2015 / Foto nga arkivi e migrantëve kosovarë

Në Kosovë po vazhdon riatdhesimi i personave, të cilët kanë migruar ilegalisht në fund të vitit të kaluar nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian.

Valon Krasniqi, drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Brendshme në Qeverinë e Kosovës, për Radion Evropa e Lirë tha se nga janari i këtij viti e deri më tani janë riatdhesuar mbi 15 mijë persona.

Ai ndërkaq tha se riatdhesimi do të vazhdonjë, duke u bazuar në marrëveshjet për riatdhesim që i ka bërë Kosova me vendet e Bashkimit Evropian dhe ato shtete që nuk janë pjesë e BE-së.

“Nga një janari e deri në këto momente janë riatdhesuar rreth 15.500 persona. Procesi i riatdhesimit është duke vazhduar, shtetet po vazhdojnë t'i kthejnë konform marrëveshjeve për riatdhesim. Mirëpo, nuk kemi ndonjë sinjal për ndonjë fluks më të madh apo diçka të ngjashme”, tha Krasniqi.

Qytetarët të cilët kthehen në Kosovë nuk përfitojnë nga Programi i Ri-integrimit, por janë disa “skema të natyrës urgjente që mund t'i përfitojnë të gjithë të riatdhesuarit".

Vetëm në rastet kur një familje nuk ka ku të strehohet, komuna që i takon dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, duhet t’i bëjë zgjidhje.

Ndryshe, në fillim të shtatorit, nga Gjermania është kthyer Rufie Omuri nga fshati Greme, Komuna e Ferizajt.

Omuri, në fillim të këtij viti bashkë më bashkëshortin dhe tre fëmijët në mënyrë ilegale kishin migruar në Gjermani.

Por, në Kosovë është kthyer vetëm zonja Omuri më fëmijë, kurse bashkëshorti, siç thotë ajo, ditën e kthimit nuk ka qenë bashkë më ta, kështu që ende vazhdon të qëndrojë në shtetin e Gjermanisë.

Zonja Omuri, ankohet se pas kthimit autoritet qendrore po ashtu edhe ato komunale nuk i kanë ndihmuar me ndonjë asistencë sociale.

“Pas kthimit jam lajmëruar në komunën e Ferizajt, zyra për kthim. Por, nuk kam marrë asnjë ndihmë. Më kanë thënë se nuk përfitoj asgjë për shkak se nuk kam qëndruar shumë në Gjermani. Veç ata që rrinë në shtetet Bashkimit Evropian, katër ose pesë vite, mund tëmarrin ndihma".

"Keq sepse ne kemi marrë para borxh për të migruar, kështu që nuk po mundemi ta paguajmë”, tregon zonja Omuri.

Zonja Omuri, ndërkaq tregon se po t’i jepet mundësia, jo në mënyrë ilegale, me dëshirë do të braktiste Kosovën për tu zhvendosur në Gjermani, në mënyrë që të bashkohet më burrin e saj.

“Burri nuk është kthyer, ai është në Gjermani por nuk është duke punuar. Po të kisha mundësi, as një minut nuk kisha qëndruar këtu (në Kosovë). Por, jo në mënyrë ilegale. Nuk e marrë, as nuk e provoj më atë rrugë", shprehet ajo

Ndryshe, në dhjetor të vitit 2014 dhe në fillim të këtij viti, mijëra qytetarë në mënyrë të paligjshme kanë braktisur Republikën e Kosovës për shkak të siç thuhet “një perspektive më të mirë në vendet e Bashkimit Evropian".

Kalimi ilegal është bërë fillimisht duke kaluar në Serbi dhe më pas, kryesisht përmes trafikantëve, duke kaluar në vendin e parë të BE-së, Hungari.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG