Ndërlidhjet

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se nga zbatimi me përpikshmëri i ndryshimeve ligjore që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor do të varet dhe rrugëtimi i Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni, kanë rënë dakord që reformat ligjore të zbatohen para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen në 24 prill të vitit të ardhshëm.

“Nëse ndryshimet ligjore për zgjedhjet nuk zbatohen në përpikshmëri atëherë Maqedonia sigurisht do të ballafaqohet dhe me problemin e marrjes së rekomandimit për t`u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, një javë më parë vendi fitoi rekomandimin e kushtëzuar që në një formë paraqet test për atë se ligjet e marrëveshjes politike, ku bëjnë pjesë dhe ndryshimet e ligjeve për zgjedhjet, do të zbatohen dhe zgjedhjet do të kalojnë në një atmosferë fer dhe demokratike”, thekson Mitko Gaxhovski analist politik.

Në bazë të ndryshimeve të reja ligjore që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve mund të ngrejë iniciativë për procedurë disiplinore, të parashtrojë kërkesë për procedurë penale ose ngrejë padi për organin kompetent, në qoftë se konstaton bazë për të dyshuar se është shkelur ndonjë rregull i Kodit zgjedhor.

Subhi Jakupi, nënkryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, konsideron se rregullativa ligjore e miratuar një javë më parë në aspektin juridik garanton kushte maksimale për organizimin e zgjedhjeve në frymën demokratike, por siç thekson ai për të pasur vërtet zgjedhje të pranueshme nga të gjitha palët, nevojitet që të gjithë faktorët politik, të cilët janë të kyçur në zgjedhje të demonstrojnë vullnet politik.

“Unë mendoj se shumë e rëndësishme do të jetë sjellja e aktorëve politik , partitë politike, organet tjera shtetërore që t`i plotësojnë të gjitha kushtet për t`u realizuar zgjedhjet në frymën demokratike duke u respektuar ligjet që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor në përpikshmëri, për të pasur zgjedhje demokratike. Në këtë pjesë rol të veçantë do të ketë ndarja e institucioneve nga partitë politike si dhe puna e mediave”, është shprehur për Radion Evropa e Lirë, Subhi Jakupi.

Do theksuar se në bazë të ndryshimeve të fundit të ligjeve për zgjedhje, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve formohet në atë mënyrë që shumica parlamentare dhe opozita do të propozojnë nga tre anëtarë, ndërsa tre të tjerë do të zgjidhen me konsensus e që do të jenë ekspertë të njohur në opinionin publik.

Ndryshimet ligjore që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor janë pjesë e marrëveshjes politike dhe u paraprijnë zgjedhjeve të parakohshme të planifikuara për në prill të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG