Ndërlidhjet

logo-print

Kuvendi në seancë për buxhetin


Në një seancë të jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës pritet të shqyrtojë për miratim projekt-ligjin e propozuar nga qeveria për Buxhetin e vitit 2016.

Por, ajo që e bën të paparashikueshëm mbajtjen e kësaj seance është zotimi i opozitës se do ta pengojë atë.

Të hënën, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka kërkuar nga opozita, siç ka thënë ai, të mos “abuzojë dhe të lejojë Kuvendin të kryej punën e vet”.

Përderisa tri partitë opozitare nuk e përjashtojnë mundësinë që sërish të përdorin gazin lotsjellës apo edhe mjete tjera për të bllokuar punimet e seancës, siç kanë vepruar në mbledhjet paraprake.

Si kusht që të mos ketë bllokim të seancave, opozita po kërkon që kryeministri dhe Qeveria e Kosovës të anulojnë marrëveshjen me Serbinë për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe atë me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka deklaruar se nuk do të lejohet asnjë seancë pa anulimin e këtyre marrëveshjeve.

Ndaj paralajmërimeve të opozitës, kanë reaguar 82 deputetë nga partitë e koalicionit qeverisës, të cilët i kanë kërkuar Kryesisë të ndërmarrë masa në mënyrë që të mos lejojë që të rrezikohet jeta dhe shëndeti i tyre në Kuvend.

Në rast të pengimit të punimeve, kryesisë së Kuvendit i mbeten disa opsione.

Në mesin e tyre edhe opsioni i futjes së sigurimit në sallë apo edhe të ndajë deputetët e pozitës në një sallë të improvizuar për vazhdimin e mbledhjes pa opozitën.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG