Ndërlidhjet

logo-print

Rusia e përkushtuar për hakmarrje për aeroplanin e rrëzuar

  • RFE /RL

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është shprehur i përkushtuar për “hakmarrje” pasi shefi i sigurisë ruse ka konfirmuar se aeroplani rus i udhëtarëve është rrëzuar nga “akti terrorist” mbi Egjipt muajin e kaluar.

Duke folur në një takim të kryesuar nga presidenti Putin, shefi i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), Aleksandr Bortnikov, mbrëmë vonë në Moskë, tha:

“Ne definitivisht mund të themi se ky ishte akt terrorist”.

Aeroplani i rus i udhëtarëve i tipit Airbus A321, fluturonte nga pushimorja egjiptiane Sharm el-Sheik për në Shën Petersburg të Rusisë, kur u përplas në Gadishullin Sinai, më 31 tetor, me ç’rast u vranë të 224 njerëzit në aeroplan. Shumica e të vdekurve ishin shtetas rusë.

“Sipas ekspertëve tanë, bomba e prodhimit shtëpiak përmbante deri në një kilogram të eksplozivit TNT, ka ka shpërthyer dhe ka shkaktuar shkatërrimin e aeroplanit gjatë fluturimit. Këtë e shpjegon edhe fakti se pjesët e trupit të aeroplanit ishin shpërndarë në një distancë të gjatë”, tha Aleksandr Bortnikov.

Presidenti Putin tha se ky nuk ishte ballafaqim i parë i Rusisë me sulm terrorist.

“Kjo nuk është hera e parë që Rusia ballafaqohet me krime barbare terroriste, shumë shpesh pa kurrfarë shkaku të qartë, të jashtëm ose të brendshëm, siç ishte rasti me eksplodimin në stacionin e metros në Volgograd në vitin 2013”, tha zoti Putin.

Ai ka urdhëruar shërbimin sekret të Rusisë që të gjurmojë për ata që janë përgjegjës për rrëzimin e aeroplanit.

“Ne do t’i kërkojmë ata çdokund që mund të fshihen, Ne do t’i gjejmë ata në çfarëdo pjese të botës dhe do t’i ndëshkojmë”, tha Putin.

Shërbimi Federal i Sigurisë i Rusisë, ka ofruar shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacione që mund të çojnë në arrestimin e atyre që janë përgjegjës për rrëzimin e aeroplanit rus.

Zoti Putin, po ashtu, i ka rekomanduar Ministrisë së Jashtme të Rusisë që t’i kontaktoj të gjithë partnerët e Moskës për ndihmë dhe tha se llogarit në “miqtë” rusë për ndihmë në gjetjen e atyre që kanë dorë në sulm kundër aeroplanit.

Një grup i afërt me militantët e Shtetit Islamik, e ka marrë përgjegjësinë për rrëzimin e aeroplanit.

Presidenti Putin ka shprehur përkushtim për intensifikim të sulmeve ajrore ruse në Siri, në mënyrë që siç theksoi, “kriminelët të kuptojnë se hakmarrja është e paevitueshme”.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Trego komentet

XS
SM
MD
LG