Ndërlidhjet

Maqedoni: Masa shtesë për kontrollin e migrantëve


Gjevgjeli

Gjevgjeli

Maqedonia ka përforcuar kontrollin e lëvizjes së migrantëve ndërsa Këshilli i Sigurisë Kombëtare ka urdhëruar vendosjen e barrikave me tela me gjemba në vendet ku vlerësohet është se është e nevojshme, para se gjithash në Gjevgjeli, në pjesën jugore të vendit që kufizohet me Greqinë.

Masat e këtilla vijnë pas sulmeve terroriste në Paris dhe njoftimeve se një apo dy nga sulmuesit kanë kaluar nëpër Maqedoni në rrugëtimin e tyre për në vendet e Bashkimit Evropian.

Këshilli ka theksuar se vendosja e telave nuk nënkupton mbyllje të kufirit, por vetëm kontroll më të rreptë dhe përcaktimin e vijës për lëvizjen e tyre drejt destinacionit të radhës, që është kufiri me Serbinë.

Njohësit e çështjeve të sigurisë, kanë vlerësime të ndryshme lidhur me masat e ndërmarra. Marina Mitevska nga Instituti për mbrojtje dhe studime paqësore, thotë në menaxhimin e situatës duhet të përfshihen më shumë institucione, përveç Ministrive së punëve të brendshme dhe të mbrojtjes.

“Në vendkalimin kufitar, përkatësisht në brezin kufitar duhet të përfshihen më shumë njësi të ushtrisë dhe policisë, të ndihmuara edhe nga UNHCR-ja. Kapacitetet që do t'i përcaktojë kjo organizatë janë në interes të gjendjes së përgjithshme, në legjitimimin dhe kontrollin e të dhënave të migrantëve“, thotë Mitevska duke shtuar se në menaxhimin sa më të mirë të gjendjes duhet të përfshihen edhe agjencitë e zbulimin dhe kundërzbulimit.

Por, ndryshme vlerëson Bashkim Selmani, ekspert i terrorizmit ndërkombëtar dhe ligjërues në Universitetin Fon të Shkupit.

Ai thotë se vendosja e telave me gjemba është në kundërshtim me konventat ndërkombëtare dhe se Maqedonia duhet të bëjë gjithçka të mundur për të lehtësuar lëvizjen e migrantëve.

Selmani vlerëson se Maqedonia nuk është e rrezikuar nga migrantët dhe se deklarimet që bëhen më tepër janë të karakterit psikologjik se sa real.

“Maqedonia nuk është e rrezikuar nga migrantët dhe ajo duhet t'i trajtoj dhe respektoj në bazë të konventës ndërkombëtare për refugjatë. Vlerësoj se Maqedonia më tepër është e përqëndruar në dyshime paraprake se sa në gjendjen faktike".

"Normalisht se për ata njerëz që futen në vend ekziston mënyra e kontrollit, mënyra e kontrollit të të dhënave që ka të bëjë me këta persona andaj vlerësoj se e gjithë kjo që po bëjnë institucionet më tepër ka të bëjë me një masë preventive psiqike se sa me një dyshim apo frikë nga ndonjë rrezik tjetër. Ajo duhet ti trajtoj drejtë refugjatët dhe nuk guxon të shkelë të drejtat e tyre të garantuara me konventat ndërkombëtare“, thotë Selmani.

Ndryshe, fluksi i refugjatavë ka vazhduar me tempon e njejtë dhe sipas të dhënave të UNHCR-së, në 24 orët e fundit në Maqedoni kanë hyrë rreth 7 mijë persona, kryesisht të moshuar, gra dhe fëmijë të cilët janë vendosur në kampin e pritjes në Gjevgjeli, i cili këtyre ditëve ka nisur të zgjerohet nga ana e institucioneve në pritje të valës së re të migrantëve gjatë muajve të dimrit.

Atje tashmë janë vendosur edhe organizata të ndryshme joqeveritare dhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë për t'i ofruar ndihmë në ushqime, veshmbatje si dhe shërbime tjera, përfshirë edhe ato shëndetësore.

XS
SM
MD
LG